Formimi i Gjykatës Speciale që do të merret me krimet e supozuara të UÇK-së, për institucionet e Kosovës është drejt përfundimit. Drafti final që duhet të miratohet nga deputetët tanimë ndodhet në Kuvend, ndërsa pritet vetëm thirrja e një seance që të votohet formalisht.

Nëse Kuvendi i Kosovës dështon ta realizojë këtë, atëherë Këshilli i Sigurimit do të nxjerrë një rezolutë të veçantë për formimin e kësaj Gjykate Speciale.

“Unë mendoj se detyrat dhe përgjegjësitë që kemi me Kushtetutë si përfaqësues të qytetarëve dhe institucioneve të Kosovës duhet t’i plotësojmë dhe para faktorit ndërkombëtar të shkojmë me një qëndrim të unifikuar”, tha Krasniqi.

Përfaqësues të partive opozitare vlerësojnë se formimi i Gjykatës Speciale që do të trajtojë krimet e supozuara të kryera nga UÇK do të dëmtojë shumë rëndë imazhin e shtetit të Kosovës, por edhe të Shqipërisë.

“Tani na krijohet një gjykatë ku përfshihet fatkeqësisht edhe Republika e Shqipërisë, që ka qenë një vend i cili nuk ka marr pjesë në luftën e Kosovës, por që ka strehuar refugjatët e ardhur nga Kosova gjatë dëbimit të organizuar nga Serbia. Krijohet një gjykatë sipas një lënde shumë të dyshimtë, e cila flet për shtëpi fantazmë, për krime të UÇK-së dhe trafikim të organeve, ndërsa në anën tjetër me mijëra kriminelë të luftës enden të lirë nëpër Serbi. Mendoj se krijimi i kësaj gjykate do t’i bëjë shumë dëm interesit kombëtar shqiptar. Përgjatë dy viteve të ardhshme në të gjitha mediat ndërkombëtare shqiptarët do të portretizohen jo si çlirimtarë, por si njerëz që janë marrë me krime shumë të dyshimta”, deklaroi Glauk Konjufca nga Vetëvendosje.

Edhe përfaqësues të LDK-së dhe AAK-së janë shprehur kundër formimit të gjykatës, por kanë thënë se Kosova nuk ka mundësi zgjedhje e as kundërshtimi.

“Krijimi i një gjykate nuk është e mirë për vendin tonë, ne jemi të vetëdijshëm për këtë. Por po e them edhe njëherë, mes dy zgjidhjeve që kemi përpara, të cilat të dyja nuk janë të mira, ne do na duhet të zgjedhim njërën. Me tjetrën nuk kanë për të na pyetur fare. Aktualisht jemi para kësaj situate”, deklaroi kreu i grupit të LDK-së, Ismet Beqiri.

“Është çështje serioze për Kosovën. Aleanca ka treguar se nuk do të preferonte fare një gjykatë të këtij lloji. Mendojmë se vendet e tjera kanë merituar me qindra herë më shumë që të kenë gjykata të tilla. Kosova ka qenë viktimë në luftë. Të gjitha këto nuk janë aq relevante tani. Tani jemi në një moment ku duhet të vendosim, ose ta bëjmë Gjykatë të Kosovës, ose të ballafaqohemi me një vendim të Këshillit të Sigurimit”, tha Ardian Gjini, kryetar i grupit të AAK-së.

Kryeparlamentari Jakup Krasniqi por edhe përfaqësuesit e partive opozitare kanë fajësuar qeverinë e Kosovës, e cila sipas tyre duhej të kishte dalë me një qëndrim të unifikuar të gjithë spektrin politik ndaj kërkesës së ndërkombëtarëve.

Për detajet e vendimit për formimin e Gjykatës Speciale është diskutuar të hënën edhe në një takim të mbyllur për mediat mes ambasadorëve të Kuintit dhe liderëve të partive politike parlamentare.

Top Channel