
Dy punonjës të Kombeve të Bashkuara janë qëlluar për vdekje në Somali, ku sapo kishin mbërritur për një mision.
Sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare, ata u qëlluan në ambjentet e Aeroportit Galkajo, pasi kishin zbritur nga avioni, nga një person i veshur me uniformë policie.
Dy zyrtarët po punonin për llogari të Zyrës së OKB-së për Drogën dhe Krimin, ka konfirmuar ndërkohë vetë Pallati i Qelqtë në Nju Jork.
Nicholas Kay, përfaqësuesi i posaçëm i sekretarit të përgjithshëm të OKB-së për Somalinë, dënoi vrasjet duke thënë: “Kolegët tanë po punonin në mbështetje të aspiratës së popullit somalez për një të ardhme të qetë dhe të qëndrueshme”.
Një dëshmitar nga vendi i ngjarjes, i cituar nga BBC, tha: “Një prej tyre vdiq brenda në aeroport, ndërsa tjetri u dërgua menjëherë në spital ku vdiq si pasojë e plagëve të marra”.
“Nuk ka justifikim për një ngjarje të tillë. U bëj thirrje autoriteteve që të kryejnë një hetim të plotë dhe të nxjerrin pa u vonuar organizatorët para drejtësisë”, vijoi më tej përfaqësuesi i Ki Moon, Nicholas Kay.
Lokaliteti i Galkajos ndodhet 574 kilometra në veri të kryeqytetit Mogadishu, në kufi me shtetin gjysmëautonom të Puntlandit.
Rajoni është kthyer në një sinonim të piraterisë, për shkak të pranisë së tyre në ujërat përreth Somalisë dhe në veçanti Gjirit të Adenit.
Gjithashtu, ai është shtëpi e shumë somalezëve të zhvendosur nga dhuna në jug, ku disa prej tyre tentojnë të kalojnë detin për në Jemen.
Top Channel