
Të paktën 22 policë nga Jordania janë dërguar në spital, pas përplasjeve me refugjatët sirianë në kampin Zaatari në veri të Jordanisë, bënë të ditur zyrtarët. Autoritetet hodhën poshtë raportet se është vrarë një refugjat gjatë trazirave.
Forcat e sigurisë përdorën gazin lotsjellës për të shpërndarë refugjatët që gjuanin me gurë, e më pas i vunë flakën tendave dhe makinave.
Kampi i tejmbushur, që strehon rreth 106 mijë refugjatë, është përfshirë nga disa protesta, që prej hapjes së tij 2 vjet më parë, kryesisht për shkak të kushteve tepër të vështira për jetesë.
Zaatari ndodhet në shkretëtirën jordaneze, rreth 12 km nga kufiri me Sirinë. Ai është kampi i dytë më i madh i refugjatëve në botë, pas Dadaab-it në Kenian lindore, duke u shndërruar kështu në qytetin e katërt më të madh në Jordani.
Autoritetet jordaneze thanë se dhuna nisi pasi policia arrestoi një grup refugjatësh, të cilët po përpiqeshin të largoheshin ilegalisht nga kampi. “Refugjatët dogjën 6 tenda dhe 2 karvanë, si dhe u përpoqën të sulmonin stacionet e policisë”, bëri të ditur Drejtoria për Sigurinë Publike, përmes një deklarate.
Rezidentët në Zaatari, gjithsesi, pretendojnë se përplasjet nisën për shkak se një polic jordanez goditi një fëmijë sirian. Dëshmitarët thanë gjithashtu se numri i refugjatëve të plagosur në këto trazira ishte shumë më i madh se sa 3 rastet e konfirmuara nga zyrtarët.
Top Channel