
Avionët ushtarakë të Izraelit kanë goditur 5 objektiva në Gaza, mbrëmjen e së shtunës, në shenjë “hakmarrje” ndaj asaj që zëdhënësi i ushtrisë e quajti “agresion terrorist”.
Katër prej “vendeve terroriste të shënjestruara” ishin në veri të Gazës, ndërkohë që i pesti ndodhej në jug, sipas Forcave izraelite të Mbrojtjes. Komandanti Peter Lerner, nënkolonel dhe zëdhënës i ushtrisë, tha se goditjet ishin “me precizion” dhe “të bazuara mbi burimet e inteligjencës”.
Dr. Ashraf Elkdra nga spitali “Shifa” i Gazës tha për CNN se nuk ka pasur viktima apo të plagosur, si pasojë e sulmeve të Izraelit.
Veprimet e fundit ushtarake vijnë pas asaj, që ushtria izraelite njoftoi se rreth 131 raketa ishin lëshuar nga Gaza drejt Izraelit prej muajit të kaluar.
“Është detyrimi ynë të gjejmë ata që duan të na sulmojnë, t’i eliminojmë aftësitë e tyre dhe t’i gjurmojmë kudo ku fshihen”, tha Lerner përmes një deklarate.
Gjithashtu, sulmet vijnë në një moment të brishtë, që pritet të ketë ndikim në arritjen e një marrëveshje të “paarritshme” paqeje mes liderëve palestinezë dhe izraelitë.
Përpjekjet për arritjen e një marrëveshjeje ngecën javën e kaluar, teksa Izraeli nuk iu përmbajt premtimit për lirimin e grupit të katërt të të burgosurve palestinezë, ndërkohë që palestinezët u përgjigjën me firmosjen për t’iu bashkuar 15 trupave ndërkombëtare, në kundërshtim të angazhimeve të tyre për të mos kërkuar njohjen ndërkombëtare si shtet më vete.
Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, i deklaroi qartë “aspak ndihmuese” për procesin e paqes të dyja veprimet e fundit të palëve në Lindjen e Mesme.
Top Channel