
Liderët afganë dhe Perëndimorë i kanë përshkruar zgjedhjet presidenciale në Afganistan, si dhe pjesëmarrjen në to, si një sukses. Votat e më shumë se 7 milionë afganëve, që përllogariten të kenë marrë pjesë në zgjedhje, nga 12 milionë që kanë të drejtë vote, kanë nisur tashmë të numërohen.
Komisioni Zgjedhor ka marrë 162 ankesa për manipulime pas votimeve, gjatë të cilave u shënuan edhe raste dhune sporadike si dhe pati raportime për mungesa të fletëve të votimit. Këto zgjedhje shënojnë transferimin e parë të pushtetit të një kombi të rrënuar nga luftimet, përmes kutive të votimit.
8 kandidatë synojnë të pasojnë presidentin Hamid Karzai. Një raund i dytë balotazhi mes dy kandidatëve me më shumë vota mund të jetë i nevojshëm për të përcaktuar fituesin, sipas korrespondentëve, pasi asnjëri prej të tetëve nuk pritet të sigurojë 50% të votave.
3 milionë njerëz më shumë votuan në këto Presidenciale, në krahasim me ato paraardhëset në 2009-n. Një operacion masiv nisi për të penguar talebanët, të cilët synonin të ndërprisnin zgjedhjet, ndërkohë që edhe reshjet e dendura të shiut mund të kenë ndikuar sadopak në pjesëmarrjen në disa zona.
Karzai, të cilit i ndalohej me Kushtetutë kandidimi për një mandat të tretë, tha në fund të votimit: “Pavarësisht të ftohtit dhe motit me reshje, por edhe sulmeve të mundshme terroriste, motrat dhe vëllezërit tanë anembanë vendit morën pjesë në këto zgjedhje dhe kjo gjë shihet si një hap përpara, është një sukses për Afganistanin”.
Presidenti amerikan, Barack Obama, përmes një deklarate të lëshuar nga Shtëpia e Bardhë, tha: “Lavdërojmë popullin afgan, forcat e sigurisë dhe zyrtarët e Komisionit Zgjedhor për përfundimin me sukses të procesit të votimit, – i cili ka ruajtur të njëjtin kurs me debatin e gjallë dhe pozitiv mes kandidatëve, si dhe mbështetësve të tyre në fushatën zgjedhore. – Këto zgjedhje janë kritike sa i përket sigurimit të së ardhmes demokratike në Afganistan, ashtu sikurse dhe për vazhdimin e mbështetjes së ndërkombëtarëve”.
Sekretari i Jashtëm britanik, William Hague, tha gjithashtu përmes një deklarate: “Është një arritje e madhe për popullin afgan gjithë kjo pjesëmarrje, burra e gra, të rinj e të moshuar, pavarësisht kërcënimeve për dhunë, të cilët thanë tashmë fjalën e tyre për të ardhmen e vendit”.
Shefi i aleancës ushtarake të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, tha se zgjedhjet shënuan “një moment historik për Afganistanin”. NATO ka bashkë-koordinuar pjesën më të madhe të forcave të huaja në Afganistan, shumica e të cilëve ishin ushtarë amerikanë dhe britanikë, në një mision që do të përfundojë në fund të këtij viti.
“Uroj miliona burra e gra afgane, nga i gjithë vendi, të cilët hodhën votën e tyre në zgjedhjet presidenciale dhe ato për këshillat provincialë, me gjithë këtë pjesëmarrje dhe entuziasëm”, tha Rasmussen në deklaratën e tij.
3 janë kandidatët pretendentë: Ish-ministrat e Jashtëm Abdullah Abdullah dhe Zalmai Rassoul, si dhe ish-ministri i Financave Ashraf Ghani Ahmadzai, nga të cilët Rassoul ka mbështetjen edhe të Karzai-t. Numërimi i votave pritet të zgjasë disa ditë, ndërsa balotazhi pritet të mbahet më 28 Maj.
Top Channel