Veteranët e UÇK-së kundër gjykatës

05/04/2014 00:00

Krijimi i një gjykate për krimet e supozuara të luftës nga UÇK-ja shkel
sovranitetin e Kosovës dhe si i tillë do të kundërshtohet nga veteranët e
luftës.

Kështu tha të shtunën kryetari i Shoqatës së Veteraneve të Luftës, Muharrem Xhemajli, gjatë një takimi që zhvilloi me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi.

Sipas raportimeve të agjencisë së lajmeve “Kosovapress”, gjatë takimit Thaçi theksoi se Kosova ka sistemin e saj të drejtësisë, në gjendje për t’u përballur me çdo sfidë.

Gjatë takimit u diskutua edhe mbi miratimin e ligjit për veteranët, me kryeministrin Thaçi që pranoi se ky ligj do të bëjë që të gjithë ushtarët që luftuan nën emblemën e UÇK-së të gëzojnë të drejtat e tyre.

Nga ana e tij, Xhemajli tha se ky ligj nuk përjashton asnjë pjesëtar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që ka dhënë kontribut në luftën kundër forcave serbe.

Më tej Thaçi foli edhe për verifikimin e pjesëtarëve të UÇK-së, duke thënë se më së largu deri më një korrik procesi do të kryhet. Ai tha se, në asnjë mënyrë zgjedhjet e ardhshme parlamentare nuk do të ndikojnë në punën e komisionit për verifikim.

Ndërkohë, gazeta “Koha Ditore” shkruan në numrin e së shtunës se kohëzgjatja e gjykatës së posaçme për krimet e luftës në Kosovë do të jetë jo më pak se 5 vjet.

Top Channel