Ukraina: Jo rritjes së çmimit të gazit

05/04/2014 00:00

Ukraina njoftoi refuzimin e vendimit të Rusisë dhe paralajmëroi padi në gjykatat ndërkombëtare të arbitrazhit për vendimin e Moskës që i dyfishoi cmimin e gazit.

Kryeministri i përkohshëm ukrainas, Arseniy Yatsenuk deklaroi se lëvizja e cmimeve në një shifër që është më e larta në Europë, është një formë e agresionit ekonomik si dhe paralajmëroi qytetarët që të përgatiten edhe për ndërprerjen e furnizimit me gaz.

“Rusia nuk mundi të pushtojë ushtarakisht Ukrainën dhe tashmë atë që s’e bëri me armë po kërkon të bëjë duke përdorur metodat ekonomike. Kjo është e papranueshme. Ne nuk kërkojmë ndërprerjen e furnizimit, kërkojmë një marrëveshje të ndershme për të dyja palët dhe jemi të përgatitur ta arrijmë këtë në cmimin 270 dollarë për 1 mijë metër kub”, deklaroi para ministrave të tij Yatsenuk.

Ukraina blinte më parë 1 mijë metër kub gaz me 270 dollarë, ndërsa
tashmë cmimi i caktuar nga kompania shtetërore ruse, Gazprom është 485
dollarë. Gazprom justifikon vendimin për rritjen e cmimit me faktin që
Kievi nuk ka shlyer detyrimet nga faturat e mëherëshme.

Cmimi i gazit për Ukrainën është dyfishuar që prej rrëzimit të presidentit Victor Yanukovich dhe qeverisë së tij të mbështetur nga Moska.

Kjo lëvizje u pasua nga tensione të forta mes autoriteteve të reja në Kiev dhe Kremlinit, që aneksoi Gadishullin e Krimesë pas një referendumi të organizuar atje nga banorët rusisht-folës, por që nuk njihet nga ndërkombëtarët.

Top Channel