Dhjetëra persona rezultojnë të humbur pas përmbytjeve masive që kanë vrarë të paktën 12 persona dhe kanë lënë 10 mijë të tjerë të pastrehë, në ishujt Solomon, në jug-lindje të Azisë.

Mediat lokale flasin për rreth 30 persona që rezultojnë të humbur pas përmbytjeve të së enjtes, të shkaktuara nga shirat e dendura. Shumica e kryeqytetit Honiara është e përmbytur, ndërsa mijëra persona janë strehuar në çadrat e emergjencës.

Gjendja e jashtëzakonshme është shpallur pas shqetësimeve për furnizimet me ushqim dhe ujë, si dhe për infrastrukturën e dëmtuar.

Sekretarja e përgjithshme e Kryqit të Kuq në ishujt Solomon, Joanne Zoleveke i cilësoi përmbytjet si “një tragjedi të cilën nuk e parashikoi askush”.

Lumi kryesor i kryeqytetit Honiara, Matanikau, doli nga shtrati për shkak të shirave duke vënë përpara shtëpi dhe ura, si dhe duke arritur deri në qendër.

“Ne po e mbikëqyrnim lumin, por askush nuk priste që ai të fryhej kaq shpejt. Na kapi në befasi, prej andej erdhën vdekjet”, deklaroi Zoleveke.

Të paktën 11 qendra evakuimi janë ngritur në shkollat dhe aeroportin ndërkombëtar të Honiaras, raporton agjencia “World Vision”.

Burimi njoftojn gjithashtu se terminali për fluturimet e brendshme të aeroportit është i mbuluar nga uji dhe ekziston frika e përhapjes së sëmundjeve për shkak të ujit të ndotur. Pjesë të tjera të provincës Guadalkanal, ku ndodhet dhe kryeqyteti, janë shpallur gjithashtu zona katastrofe, njoftojnë autoritetet.

“Burimet e ujit të pastër janë ndotur, komplekset shëndetësore janë shkatërruar dhe ka mungesë ilaçesh për të mjekuar njerëzit që sëmuren”, deklaroi Laërence Hillary, nga “World Vision”. 

Top Channel