Avioni i humbur, intensifikohen kërkimet

05/04/2014 00:00

Kërkimet për avionin e humbur të “Malaysia Airlines” kanë hyrë në fazën më intensive, teksa dhjetëra avionë e anije vazhdojnë të mbikëqyrin jugun e Oqeanit Indian.

Sipas raportimeve të fundit të BBC, një anije kineze ka kapur një sinjal
pulsues që dyshohet se vjen nga avioni, por që ende nuk ka asgjë të
konfirmuar.

Të paktën 13 avionë dhe 11 anije po marrin pjesë në operacionet e së shtuynës, bënë të ditur autoritetet australiane që po koordinojnë kërkimet.

Anije me teknologji të avancuar lokalizuese po përpiqen të gjejnë vendndodhjen e avionit përpara se bateritë e kutive të zeza të fiken.

Kërkimet po koordinohen nga Agjencia Qendrore e Koordinimit të qeverisë australiane nga qyteti i Perthit, në perëndim të Australisë.

Në një deklaratë për shtyp, agjencia deklaroi se kërkimet janë fokusuar në një hapësirë prej 217 mijë kilometrash katrorë, 1.700 km në perëndim të Perthit.

Dy anije me kapacitete lokalizuese po bëjnë kërkime në një shteg prej 240 kilometrash, në përpjekje për të gjetur kutitë e zeza. Konkretisht ata janë në kërkim të sinjaleve që lëshojnë këto të fundit.

Por të premten një zyrtar australian, Angus Houston deklaroi se i gjithë aksioni është një garë me kohën, pasi sinjali i dhënë përmes fuqisë së baterive të kutive zhduket 30 ditë pas rënies së avionit.

Avioni u zhduk më 8 mars me 239 persona në bord. Ai dyshohet të jetë rrëzuar në Oqeanin Indian, edhe pse nuk janë gjetur ende copa të tij. Gjithashtu, ende nuk dihet përse avioni ndryshoi kursin e fluturimit nga Kuala Lumpuri në Pekin.

Top Channel