Afganistani voton në zgjedhjet historike

05/04/2014 00:00

Afganët po votojnë këtë të shtunë për të zgjedhur presidentin e ri, proces ky që do të sjellë edhe transformimin e parë të pushtetit përmes kutisë së votimit. Pjesëmarrja që në orët e para ka qenë e konsiderueshme, pavarësisht shiut të dendur që ka përfshirë Kabulin.

Ndërsa sa i përket rrezikut nga talebanët, qytetarët duket se po i
sfidojnë ata. “Unë nuk kam frikë nga kërcënimet e talebanëve. Të gjithë
do të vdesim një ditë. Unë dua që vota ime të jetë një shuplakë në
fytyrë për talebanët”, ka thënë Laila Neyazi, banore e Kabulit, për
agjencinë e lajmeve “AFP”.

Mediat e huaja raportojnë se në disa qendra
zgjedhore, në Kabul dhe qytete të tjera, ka pasur parregullësi, me
materialet zgjedhore që kanë mbërritur me vonesë edhe për shkak të
shiut. Gjithësesi, vëzhguesit ndërkombëtarë janë optimistë për një
proces pozitiv.

Një numër i madh i forcave të sigurisë është vënë në gatishmëri për të siguruar një proces zgjedhor të qetë, megjithëse kërcënimet nga talebanët kanë ardhur, pasi janë zotuar se do të prishin zgjedhjet.

Në kryeqytet është ndaluar lëvizja e automjeteve që nga dita e premte, postblloqe policore janë ngritur në çdo kryqëzim. Zyrtarët vendas deklaruan se për të ofruar siguri janë angazhuar rreth 400 mijë policë dhe ushtarë. 

Në garë janë 8 kandidatë, të cilët do të synojnë të zëvendësojnë Hamid Karzain, pasi atij i ndalohet nga kushtetuta për të kërkuar një mandat të tretë radhazi si president.

Pas vrasjes së një gazetareje dhe plagosjes së një tjetre, një ditë më parë, nuk ka pasur publikime të sondazheve të reja. Dy gazetare të huaja u qëlluan me armë zjarri nga një person i veshur si polic, raportuan mediat ndërkombëtare.

Një nga gazetaret ndërroi jetë pas plumbave të marrë ndërsa tjetra është plagosur rëndë. Bëhet fjalë për një fotografe dhe një reportere të agjencisë së lajmeve “Associated Press”, me nënshtetësi gjermane.

Ky ishte edhe rasti i fundit i një sulmi vdekjeprurës që ka cenuar edhe zgjedhjet. Megjithatë, vëzhguesit ndërkombëtarë janë gjithnjë e më optimist se këto zgjedhje do të kenë një mbarëvajtje pozitive. 

Top Channel