
Shtetet e Bashkuara i kanë bërë thirrje klasës politike në Kosovë që të
votojnë pro rinovimit të mandatit të misionit EULEX, duke e cilësuar
praninë e tij në shtetin e ri të Evropës të nevojshme.
Në një intervistë për “RTK”, drejtori për Çështjet e Evropës në Departamentin e Shtetit, Jonathan Moore ka deklaruar se, një nga detyrat e legjislaturës aktuale të Kosovës para zgjedhjeve është pikërisht vendimi për mandatin e misionit evropian.
Më tej Moore është pyetur për një sërë çështjesh që kanë të bëjnë me Kosovën, për të cilat është ngritur shqetësim si në faktorin e brendshëm politik, ashtu edhe në radhët e atij ndërkombëtar.
“Kosova nuk është një rast i veçantë sa i përket korrupsionit. Gjithëkund flitet për këtë çështje, në çdo vend të botës. Është normale që partitë politike të akuzojnë njëra-tjetrën, sidomos para zgjedhjeve nëpër fushata”, ka thënë Moore.
Ndërsa në lidhje me çështjen e liberalizimit të vizave, zyrtari amerikan ka vlerësuar se ajo është një çështje me rëndësi për qytetarët e Kosovës, por ka disa kritere që duhet të përmbushen.
“Kosova ka mbështetës të fuqishëm në Parlamentin Evropian, siç është eurodeputetja Tanja Fajon, të cilët kanë dhënë vlerësimin e tyre sa i përket çështjes së liberalizimit”, ka thënë Moore.
Më tej ai ka shprehur dëshirën e Shteteve të Bashkuara, që pas zgjedhjeve në Kosovë të ketë një koalicion i cili do t’ia dalë të merret me çështje si, vazhdimi i dialogut me Serbinë, procesin e integrimit, transformimin e FSK-së në Forcat e Armatosura të Kosovës, etj.
Top Channel