Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ka zhvilluar një bisedë
telefonike me drejtorin për Çështjet e Evropës Qendrore dhe Jugore në
Departamentin amerikan të Shtetit, Jonathan Moore.

Sipas një komunikate për shtyp të shpërndarë nga selia e Presidencës kosovare në Prishtinë, në fokus të bisedimeve dy zyrtarët kanë pasur çështjen e krijimit të Gjykatës të Kosovës.

Gjatë bisedës është folur edhe për rëndësinë që Kosova të tregojë kredibilitetin e saj si partner i bashkësisë ndërkombëtare, përmes një procesi të pavarur gjyqësor.

Në komunikatën e Presidencës thuhet gjithashtu se zonja Jahjaga ka thënë se, institucionet e Kosovës kanë treguar gatishmërinë e tyre për të bashkëpunuar me partnerët ndërkombëtarë.

Ajo gjithashtu ka shtuar se ky proces do të përqendrohet tek individët dhe nuk është një gjykim i përpjekjeve të përbashkëta për çlirimin e Kosovës, përfundon komunikata.

Lidhur me të njëjtën çështje, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi ka deklaruar të premten se, ende nuk ka ardhur asnjë dokument që çështja të trajtohet nga Kuvendi.

Top Channel