
Tre persona janë dënuar me vdekje, ditën e premte, me akuzën e përdhunimit të 2 grave në qytetin indian të Mumbait vitin e kaluar, bëri të ditur Prokurori publik, Ujjwal Nikam.
Personat e identifikuar si Vijay Jadhav, Mohammad Qasim dhe Salim Ansari, janë ndëshkuar me dënim kapital bazuar mbi një ligj të amenduar indian, që cakton vdekjen si dënimin maksimal, nëse shpallesh fajtor për mbi 1 rast sulmi seksual, deklaroi më tej Nikam.
Të tre personat e mësipërm u shpallën fajtor për përdhunimin e një operatoreje telefonike, një muaj përpara se të sulmonin një fotoreportere në një fabrikë të braktisur në Mumbai, në Gusht.
5 persona, përfshi dhe një djalë të vogël, janë përfshirë në rastin e përdhunimit të fotoreporteres, tha Nikam. Njëri prej tyre është dënuar me burgim të përjetshëm, ndërsa më i riu po përballet me një proces gjyqësor përpara një bordi juristësh për të mitur. Megjithatë, të gjithë të dënuarit mund të apelojnë ndëshkimet e tyre në një gjykatë më të lartë.
Krimet e dhunshme kundër grave kanë qenë në qendër të vëmendjes në Indi, që kur një grua 23-vjeçare u përdhunua dhe u dhunua nga disa burra në një autobus Dhjetorin e 2012-s. Viktima më pas ndërroi jetë në një spital të Singaporit. Sulmi shokues shkaktoi trazira anembanë Indisë, të cilat çuan në thirrje për përmirësimin e sigurisë dhe trajtimit të grave.
Që prej atëherë, mediat indiane kanë intensifikuar fokusin e tyre ndaj rasteve të përdhunimeve. Sulme ndaj grave të huaja janë raportuar gjithashtu. Rasti i 2012-s bëri që ligjvënësit të ndryshonin rastet për arrestimet në flagrancë dhe marrjen në pyetje të të gjithë të implikuarve në përdhunim.
Top Channel