Tentuan të korruptojnë policinë për të shmangur ndëshkimin, në pranga dy shtetas
Të dhënat e fundit të raportit mjeko-ligjor, që publikohen në shtypin grek, bëjnë me dije se i burgosuri shqiptar, Ilia Kareli, është torturuar për më shumë se dy orë e gjysmë në burgun e Nigritës, në Serres, ku ai është dërguar për arsye sigurie.
Atje, ai është futur në një dhomë pa kamera dhe është gjuajtur në shputat e këmbëve me çarçafë të përdredhur dhe të lidhur, të cilat torturuesi i ka sajuar me mjeshtëri, duke bërë që goditjet të jenë aq të fuqishme sa të qëllohej dikush me varre.
Në të njëjtën dhomë janë gjetur edhe pika gjaku, të cilat – sipas policisë greke – rojet e burgut janë munduar t’i pastrojnë.
Një prej përfaqësuesve të gardianëve të këtij burgu, që konsiderohet si nga më të egrit në Greqi, ka deklaruar në televizionin privat SKAI, se Kareli ka mbërritur atje me goditje në trup dhe në kokë, prej burgut të Malandrinosm, apo prej rajonit të Policisë së Iteas.
Por, policët shoqërues të Karelit kanë pohuar gjatë deponimeve, se kanë qenë rojet e burgut të Nigritës, që sapo e kanë marrë në dorëzim 42-vjeçarin shqiptar, kanë treguar me qëndrimin e tyre se do t’i krijonin kushte të veçanta të burgosurit, që kishte vrarë kolegun e tyre.
Tashmë që dosja e çështjes i është dorëzuar Prokurorisë së qytetit Serres, priten lëvizjet e tjera të drejtësisë greke, ndërsa vlen për t’u theksuar se, megjithë reagimin e mediave vendase dhe atyre ndërkombëtare, si dhe dënimin e aktit nga Komisioneri europian për të Drejtat e Njeriut apo AI, nuk është lëshuar asnjë urdhër-arresti dhe askush nuk është arrestuar.
Greqia është dënuar 14 herë në dhjetë vitet e fundit, nga Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut, për tortura ndaj të burgosurve prej oficerëve të policisë dhe të marinës ushtarake.
Por, siç deklaron përfaqësuesi i Komisionit të Helsinkit në Athinë, Panajotis Dhimitra, Greqia jo vetëm që në shumicën e rasteve nuk ka dhënë as dëmshpërblimet ndaj viktimave, por as nuk ka ndëshkuar autorët. Midis 14 rasteve në fjalë përfshihet edhe ai i shqiptarit Gentian Çelniku, që mbeti i vrarë në një bar të Athinës në vitin 2001, kur një patrullë policie kontrollonte klientët dhe oficeri i policisë Joanis Rizopoulos nuk ka hezituar ta qëllojë atë me pistoletë, duke e vrarë në vend.
Vrasësi është liruar nga gjykata greke pa u dënuar, megjithëse në 2007-n Gjykata e Strasburgut në mënyrë unanime vendosi se Greqia ka shkelur nenin 2 të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut, që mbron të drejtën e jetës.
Top Channel