Po planifikonte një sulm me eksploziv ndaj një baze të NATO-s, arrestohet 17-vjeçari norvegjez
Forcat speciale të Ukrainës ishin pas vrasjes së shumë protestuesve anti-qeveritarë në muajin shkurt në Kiev, thotë një hetim qeveritar.
Ministri i Brendshëm, Arsen Avakov u tha gazetarëve se 12 anëtarë të policisë së Berkutit janë identifikuar si snajpera dhe tre prej tyre tashmë janë arrestuar. Avakov paraqiti atë që ai e cilësoi si provë të re për të shtënat e verifikuara në datat 18-20 shkurt, kur u vranë 76 persona.
Mbi 100 persona llogaritet të kenë vdekur në Ukrainë që nga nisja e trazirave në nëntorin e kaluar, pasi ish-presidenti Yanukovych refuzoi në minutën e fundit nënshkrimin e marrëveshjes me Bashkimin Evropian, në favor të një tjetër marrëveshjeje me Rusinë.
Deri tani, autoritetet e reja në vend kanë nënshkruar pjesën politike të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit me Bashkimin Evropian.
Ndërkohë, Rusia, që mbështeti zotin Yanukovych, muajin e kaluar aneksoi gadishullin e Krimesë pas një referendumi të kontestuar dhe të konsideruar si ilegal nga Kievi dhe Perëndimi.
Në konferencën për shtyp të mbajtur në Kiev, zoti Avakov paraqiti të dhënat fillestare të hetimit për të shtënat masive që tronditën Ukrainën dhe mbarë botën.
Ai publikoi detajet e një episodi në veçanti, ku sipas tij hetimet kanë treguar se tetë viktima ishin qëlluar nga e njëjta armë automatike. Ai identifikoi majorin Dmytro Sadovnyk si komandant të një njësie të dyshuar për hapjen zjarr ndaj të paktën 17 protestuesve.
Ministri tregoi edhe një seri fotosh që tregonin prej nga po qëllonin snajperët dhe saktësoi dy ndërtesa, në rrugët Khreshçatjuk dhe Kostjolna, prej nga sipas tij është hapur zjarr.
Top Channel