Turqia lejon sërish aksesin në Twitter

03/04/2014 00:00

Autoritetet turke kanë tërhequr bllokimin e Twitter-it, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese gjatë së mërkurës. Lajmi është bërë i ditur nga zyrtarë dhe raportimet e mediave.

Kushtetuesja u kishte komunikuar autoriteteve të telekomunikacionit në vend, se ndalimi 2-javor i aksesit në rrjetin social duhet të hiqet, për shkak se ishte një shkelje e të drejtave për t’u shprehur.

Do të duhen ndoshta disa orë për të rikthyer aksesin e plotë në Twitter, për të gjithë shtetasit turq.

Kryeministri Recep Tayyip Erdogan kishte premtuar se “do të eliminonte Twitter-in”, pasi përdorues të këtij rrjeti social përhapën akuzat për korrupsion që goditën qeverinë e tij përpara zgjedhjeve lokale.

Përdorues nga i gjithë vendi gjetën disa mënyra për të shmangur ndalimin e aksesit në Twitter, gjë që u kritikua gjerësisht, madje u quajt edhe qesharak.

Aksesi në Twitter u ndalua në Turqi në prag të zgjedhjeve lokale, që partia me rrënjë islamike AK, e kryeministrit Erdogan, i fitoi bindshëm.

Pas ndalimit të Twitter-it, qeveria bllokoi aksesin edhe në Youtube, pasi një video e publikuar në të tregonte zyrtarë të lartë që diskutonin se si të ndërmerrnin një sulm të fshehtë brenda Sirisë. Ministri i Jashtëm, Ahmet Davutoglu, dëgjohet të ketë pyetur rreth mundësisë së dërgimit të tankeve në territorin sirian.

Regjistrimi në Youtube nuk është verifikuar si autentik, ndërsa Erdogan akuzon se të tilla regjistrime janë të fabrikuara për të kthyer njerëzit kundër tij.

Erdogan është irrituar ndaj mediave sociale, duke i akuzuar ato si “komplotuese” për rrjedhjen e regjistrimeve që kërkojnë të ndëshkojnë atë. Kleriku islamik që jeton në SHBA, Fethullah Gulen, i ka mohuar akuzat për përfshirjen e tij në këto ngjarje.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB