Kandidati i vetëm shqiptar në garën për presidentin e Maqedonisë, Iljaz Halimi, para qytetarëve të Strugës ka thënë se vota për të në zgjedhjet e 13 prillit mundëson faktorizimin e shqiptarëve.

“Shqiptarët të bëhen vendimmarrës për presidentin e këtij shteti. T’i tregojmë botës se shqiptarët që jetojnë këtu janë autoktonë. Me kandidimin tim atyre u mundësohet që të kenë një kryetar shteti shqiptar”, deklaroi Halimi.

“T’i mbajmë mend fjalët, gjithë këto thirrje për të bojkotuar kandidaturën e profesor Iljaz Halimit. Të jemi gjallë dhe të shohim më 14 prill, a do t’i bojkotojnë kandidaturat e maqedonasve? Jo, kurrësesi. Pse nuk i bojkotojnë zgjedhjet parlamentare? Sepse pushteti u ikën”, tha nga ana tjetër kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi.

Ndërkohë, partia e Ali Ahmetit, BDI, edhe një herë ka bërë me dije se në zgjedhjet e 13 prillit nuk do të mbështesë asnjë nga katër kandidatët presidencialë, pasi asnjëri nga ata nuk promovon konceptin për president konsensual.

Zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani tha se pas vitit 2001 çdo institucion në Maqedoni duhet të marrë legjitimitetin e dy komuniteteve më të mëdha në vend, maqedonasve dhe shqiptarëve.

“Në Parlament legjitimiteti shqiptar mbrohet me mekanizmin e Batenterit, në qeveri mbrohet me marrëveshjen e pashkruar sepse qeverinë e formojnë shumica e dy komuniteteve. Tani i ka ardhur radha presidentit që të reflektojë vullnetin e etnive, jo të qytetarit siç pretendon Stevo Pendarovski dhe jo të njërit etnitet siç promovon Gjorgje Ivanov”, deklaroi Osmani.

Në bllokun politik maqedonas, kandidati presidencial i LSDM-së Stevo Pendarovski para qytetarëve të Kumanovës, tha se Maqedonia ka nevojë për të përmisuar pozicionin e saj në planin ndërkombëtar dhe ka shprehur pakënaqësi për politikën e jashtme që udhëheq pushteti aktual.

Nga ana tjetër, presidenti aktual Gjorgje Ivanov, që rikandidon për këtë post, ka thënë se gjatë mandatit të tij të parë kanë ndodhur shumë ndryshime në vend dhe ka premtuar se do të vazhdojë punën për ndërtimin e vendit.

Top Channel