Kuvendi i Kosovës miratoi të enjten dy ligjet më të debatuara të kohëve të fundit, atë për veteranët e UÇK-së dhe ligjin për zgjedhjet e përgjithshme.

Ligji për veteranët përfundimihst nuk njeh si kategori ligjore Ministrinë e Mbrojtjes në ekzil dhe formacionin ushtarak të njohur si FARK. Janë këto çështje që për herë të parë bashkuan në një qëndrim kryeministrin Hashim Thaçi me lëvizjen Vetëvendosje.

“Qëllimi i nxjerrjes së këtij ligji është përcaktimi i të drejtave për beneficione të veteranëve të UÇK-së, të cilët me sakrificën, angazhimin dhe kontributin e tyre të çmuar në luftën e UÇK-së ishin faktor vendimtar për arritjen e çlirimit”, deklaroi Thaçi.

Edhe disa deputetë të AAK-së votuan kundër amendamenteve të LDK-së, e cila kërkoi që krahas shtabit të përgjithshëm të UÇK-së si organizatore e luftës të theksohet edhe roli i Ministrisë së Mbrojtjes në ekzil. Deputeti Anton Çuni solli shembullin personal për mënyrën se si ai ka aplikuar pranë komisionit qeveritar për njohjen e statusit të veteranit të UÇK-së.

“Zoti kryeministër, nuk ka paqe me Serbinë pa u arritur paqja e brendshme. Është e pakuptueshme që formacionet e Ministrisë së Mbrojtjes, vetë Ministria e Mbrojtjes, të mbeten jashtë ligjit për veteranët, sikur të kishin qenë formacione paraushtarake dhe kriminale”, deklaroi Çuni.

“Askush nuk do të mund të humbë kontributin e askujt në luftë. Personalisht nuk kam parë asnjë ushtar të ndonjë formacioni tjetër. Ky ligj është integrues, prandaj ftoj të gjithë deputetët që ligji të proçedohet”, replikoi Thaçi.

“Konfirmoj se vetëm një ushtri ka qenë përballë Serbisë okupuese në këtë vend dhe ajo ka qenë UÇK-ja. Dhe ky amendament nuk përjashton asnjë luftëtar që ka qenë i rreshtuar në radhët e UÇK-së, pavarësisht prejardhjeve të tyre politike”, tha deputeti i VV, Rexhep Selimi.

Depupteti i LDK-së Armend Zemaj e quajti mënyrën e proçedimit të ligjit si diktatoriale, duke e krahasuar me kohën e nënkryetarit të Jugosllavisë, Aleksandër Rankoviç. Pasi Kuvendi nuk i votoi amandametnet e LDK-së, deputetët e këtij subjekti lëshuan sallën e Kuvendit.

Kuvendi i Kosovës votoi amandamentin e lëvizjes Vetëvendosje sipas të cilit qeveria, pavarësisht rrethanave financiare, nuk mund të mos i kryejë detyrimet ligjore që dalin nga ligji. Ligji për veteranët u miratua me 73 vota pro dhe asnjë kundër.

Vota abstenuese ishte me kartelën e deputetit Ukë Rugova, i cili ndodhet në burg. Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi kërkoi sqarim për këtë, por deputetët mohuan të kenë votuar në emër të Rugovës.

Top Channel