Mëngjesin e së enjtës, me urdhër të prokurosisë kosovare, policia ka vënë në pranga 10 zyrtarë komunalë të Prishtinës.

Dhjetë zyrtarët komunalë, në mesin e tyre edhe shefi i Inspektoratit të Komunës, Ismet Haliti dyshohen për keqpërdorim të detyrës së tyre duke u përfshirë në 49 çështje të ndërtimeve.

Ndërkohë, personi i 11 i arrestuar është pronari i një kompanie private të ndërtimit. Grupi dyshohet se kishte qenë në dijeni për shumë ndërtime pa leje, por asnjëherë nuk kanë marrë mundimin t’i parandalojnë ato.

Hetimet kishin nisur një vit më parë dhe sipas prokurorisë, ka dyshime të bazuara për arrestimin e tyre. Fakte për prokurorinë kishin dhënë edhe drejtuesit aktual të Komunës.

“Ne kemi punuar me prokurorinë, sa në është kërkuar, kemi dhënë materiale. Dhe kjo ka të bëjë me sektorin e ndërtimit dhe ndërtimet pa leje”, deklaron Shpend Ahmeti, kryetar i Komunës.

Ndër të tjera, Ahmeti shpjegon se rreth 44 milionë euro borxhe i detyrohen kompanitë e ndërtimeve Komunës së Prishtinës. Ndërkohë ajo u kishte lejuar edhe kompanive me borxhe të pajiseshin me leje të reja ndërtimi.

Ahmeti thekson se duhet pritur vendimi final lidhur me këtë çështje, mirëpo tani për tani duhen ndërmarrë masa pasi komuna ka mbetur pa asnjë inspektor ndërtimi.

“Pothuajse të gjithë inspektorët janë në masat e paraburgimit. Unë pres konfirmimin nga prokuroria, që ndaj këtyre personave ka aktakuza dhe pastaj do vazhdojmë veprimet konform ligjit, që parashikon pezullimin e lejeve për personat e përfshirë në veprat penale”, nënvizon Ahmeti.

Për dhjetë zyrtarët e arrestuar të Komunës së Prishtinës ekziston dyshimi i arsyeshëm se kanë kryer veprën penale “pjesëmarrje ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”.

Ndërkaq, për të arrestuarin e njëmbëdhjetë, pronari i një kompanie private, ekziston dyshimi i arsyeshëm se ka kryer veprën penale “falsifikim i dokumenteve”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.

Top Channel