Droga, Shqipëria i kërkon ndihmë DEA-s

03/04/2014 00:00

Ministri i Drejtësisë, Nasip Naço po zhvillon një vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara, ku në axhendë ka një seri takimesh të rëndësishme.

I pari prej tyre ka qenë ai me përfaqësuesin e Administratës së Anti-Drogës, DEA, James Soiles, me të cilin ministri ka zhvilluar një bisedim kokë më kokë.

Burime zyrtare nga Ministria e Drejtësisë bëjnë të ditur se zoti Naço i ka kërkuar zyrtarit krijimin e një pranie të DEA-s në Shqipëri.

Sipas burimeve, synimi i ministrit është zhvillimi i operacioneve të përbashkëta kundër narkotikëve dhe trajnimi më i specializuar i agjentëve shqiptarë të anti-drogës.

Gjatë qëndrimit në Uashington ministri Naço do të zhvillojë takime edhe me zyrtarë të lartë të Departamentit të Drejtësisë, shtojnë më tej burimet zyrtare pranë ministrisë.

Aktualisht në Shqipëri misionet e huaja që asistojnë policinë vendase janë amerikani ICITAP dhe evropiani PAMECA. 

Top Channel