Kuvendi i Kosovës mund të vendosë për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura jo më larg se javën e ardhshme dhe nëse ekziston vullneti politik këtë të enjte.

Të paktën këto janë pritjet e kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi. Në mbledhjen e ekzekutivit, Thaçi vlerësoi se pas vendimit të Gjykatës Kushtetutese, se amandamentet për këtë çështje nuk janë në kundërshtim me Kushtetutën, çdo shtyrje është e panevojshme.

“Të gjitha çështjet që ndërlidhen me qeverinë e Kosovës dhe me Gjykatën Kushtetuese tanimë janë të kryera dhe shpresojmë që kryesia e Kuvendit do të marrë vendimin, nëse është e mundur që nesër, pse jo. Qeveria është e gatshme të proçedojë dhe më pas edhe në Kuvend të nxjerrim vendimin për themelimin e ushtrisë së Kosovës, Forcave të Armatosura të Kosovës”, deklaroi Thaçi.

Për 60 mijë studentët e Universitetit të Prishtinës dhe universiteteve të tjera publike, qeveria mori vendimin të zbresë për 50 për qind pagesat e studentëve, duke filluar nga pagesa e semestrit, konviktit dhe ushqimit në mensë.

“Propozoj që të bëjmë një zbritje të pagesës për studentët në studimet bachelor dhe master prej 50 për qind. Edhe për studentët që ushqehen në mensë dhe për ata që janë të strehuar në konvikte, zbritja të jetë po 50 për qind”, nënvizoi Thaçi.

Me propozim të kryeministrit Thaçi kabineti qeveritar vendosi krijimin e një linje të veçantë buxhetore me shumën prej 150 mijë euro. Sipas shefit të qeverisë, këto mjete do të shfrytëzohen për edukimin kundër dhunës në familje, riintegrimin e grave dhe fëmijëve, etj. Ai kërkoi që proçedurat për ndarjen e këtyre mjeteve të kryhen brenda javës.

Top Channel