Krahu i djathtë i kryeministrit grek dhe njëkohësisht sekretari i përgjithshëm i kabinetit Samaras, Dhimitris Baltakos, ka dhënë dorëheqjen pas publikimit të një videoje në të cilën ai duket se bisedon dhe i jep këshilla zëdhënësit dhe numrit dy të partisë neonaziste Agimi i Artë, Ilias Kasidhiaris, në lidhje me çëshjen e hapur penale ndaj deputetëve të kësaj partie.

Madje, në video ai lë përshtypjen më shumë të një këshilltari të neonazistëve, duke bërë dhe aludime të rënda ndaj kryeministrit Samaras, ministrit të Drejtësisë dhe atij të Rendit.

Ndërsa ka mësuar lajmin, vetë numri një i qeverisë greke ka deklaruar se megjithëse nuk është në dijeni të çështjes, nëse faktet janë të tilla, Baltakos nuk ka vend në qeveri.

Materiali filmik është paraqitur në sallën e Parlamentit, kur trupa po diskutonte pikërisht për heqjen e imunitetit të pesë deputetëve të tjerë të AA, në mënyrë që të fillojë proces hetimor edhe për ta, me akuzat për pjesëmarrje dhe veprimtari në një organizatë kriminale.

Ilias Kasidhiaris, pasi ka dorëzuar videon në fjalë dhe ka lexuar fjalë për fjalë gjithë dialogun, ka deklaruar se kjo video i është dorëzuar Gjykatës së të Drejtave Njerëzore të Strazburgut dhe do të publikohet kudo në internet.

Reagime ka shkaktur edhe fakti se menjëherë pas kësaj ngjarjeje, djali i sekretarit të përgjithshëm të qeverisë bashkë me truprojën e babait të tij kanë hyrë në zyrat e Agimit të Artë në Parlament dhe kanë sulmuar me grushte disa prej deputetëve të kësaj partie, të cilët janë kundërpërgjigjur edhe ata me dhunë.

Pak më herët Parlamenti grek ka miratuar pavarësisht kësaj ngjarjeje me 200 vota pro, 11 kundër dhe 16 abstenime heqjen e imunitetit për pesë deputetët e tjerë të partisë neonaziste.

Top Channel