Kandidati presidencial i Partisë Demokratike Shqiptare, Iljaz Halimi, para banorëve të Reçanit në rajonin e Gostivarit, ka premtuar se nëse merr besimin e popullit në zgjedhje do të angazhohet që të ndërpritet diskriminimi financiar ndaj vendbanimeve shqiptare.

“Do të përkujdesem në mënyrë të veçantë të sigurohen fonde, donacione, që buxheti të ndahet në mënyrë proporcionale për këto vendbanime. Natyrisht, nëse më jepet besimi, unë do të angazhohem që këta banorë të mos anashkalohen, mos të trajtohen si qytetarë të dorës së dytë, sepse edhe ata janë shtetas të këtij vendi, paguajnë taksa”, tha Iljaz Halimi, kandidat i PDSH-së për President në Maqedoni.

Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare, Menduh Thaçi, tha se qëllimi i PDSH-së është madhor dhe se shpifjet kundër tij nuk mund ta pengojnë realizimin e platformës së kësaj partie, për avancimin e pozitës së shqiptarëve në Maqedoni.

“Nuk e kam aspak të lehtë. E kam shumë të vështirë, sepse ideja dhe politika ime shpeshherë duken të pakuptimta, sepse thonë që atë nuk e përkrah as LSDM-ja, as VMRO-ja. Më pas, kur zhgënjehet nga dashuritë e humbura të sllavëve dhe maqedonasve, thonë se këtë e përkrah edhe VMRO-ja, edhe LSDM-ja. Nuk është e vërtetë. Kemi një qëllim shumë të madh, më të madh se sa shpifjet dhe etiketime e tyre, qëllimi është shumë më i madh se sa një karrierë e tyre”, tha Menduh Thaçi, kryetar i PDSH-së.

Kandidati presidencial i VMRO-DPMNE-së, Gjorgje Ivanov, gjatë takimeve me qytetarët tha se antarësimin i vendit në NATO dhe BE do të mbetet përcaktimi i tij strategjik edhe në pesë vitet e ardhshme, dhe se integrimi duhet të ndodhë pa kushtëzime. Kandidati i LSDM-së, Stevo Pendarovski, ka ftuar qytetarët të votojnë për të, në mënyrë që Maqedonia të bëhet me një president që nuk e përçan popullin dhe që nuk i ndan qytetarët në baza etnike apo fetare.

Top Channel