Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat të Kosovës protestoi të mërkurën para selisë së Komunës në Prishtinë, me kërkesat për barazimin e pagave dhe kthimin e tyre në menaxhim të Komunës.

Gjysma e këtyre punëtorëve kanë kaluar nga sektori publik në atë privat, vendim ky nga qeverisja e kaluar e Prishtinës, ndërsa gjysma vazhdojnë të jenë punëtorë të sektorit publik, kryesisht, punëtorë të Komunës së Prishtinës.

“Rritja e pagës dhe këta punëtorë duhet të kthehen nën menaxhimin e Kuvendit Komunal të Prishtinës, sepse me ta është abuzuar. Ata i janë dhënë kompanive të ndryshme private, nda të cilave ne nuk kemi asgjë, por janë duke u diskriminuar në mënyra më çnjerëzore. Në një shkollë ku punojnë një punëtor i sektorit privat dhe një tjetër i atij publik, i pari merr 170 euro në muaj, ndërsa i dyti 200. Nga java e ardhshme, kur do të fillojë dhe mësimi, ne do të futemi në grevë”, deklaroi Jusuf Azemi, kryetar i SPSP-së.

Në anën tjetër, ushtruesi i detyrës së zëdhënësit të Komunës, Adonis Tahiri, tha se që nga shtatori i këtij vitit do të bëhet nivelimi i pagave, por sipas tij, këto nuk mund të jenë më nën menaxhimin e komunës pasi ekziston vendimi i privatizimit të tyre.

“Këta kanë qenë punëtorë të Komunës dhe nga qeverisja e kaluar janë privatizuar shërbimet. Me këtë rast, më 28 janar të këtij viti ne jemi takuar në zyrën zotërisë, i cili ose harron shumë ose ka për qëllim t’i manipulojë këta punëtorë, dhe jemi marrë vesh që nivelizimi i pagave të këtyre punëtorëve të bëhet deri në shtator të këtij viti. Për më tepër, për pak ditë pas atij takimi ne i kemi detyruar ato kompani që t’u japin nga 170 euro rrogë këtyre punëtorëve, për shkak se ato e kanë shkelur ligjin duke i paguar me vetëm 150 euro në muaj për vite me radhë”, deklaroi Tahiri.

Këta punëtorë janë mirëmbajtës të shkollave publike, Universitetit të Prishtinës dhe punojnë gjithashtu në sektorin e shëndetit publik.

Top Channel