
Shkrimtari dhe biznesmeni Valdet Avdiu është emëruar drejtor i Teatrit Kombëtar të Kosovës. Shtatë anëtarët e Këshillit Drejtues të TKK-së vlerësuan Avdiun si më të mirin për drejtimin 4-vjeçar të këtij institucioni.
Naser Shatrolli, anëtar dhe zëdhënës i Këshillit Drejtues të TKK-së, tha se platforma e Avdiut ishte më bindësja nga 6 kandidatët që konkurruan për këtë pozitë. Ndërsa aktori Adrian Morina, si kundërkandidati me më shumë pikë pas Avdiut, e vlerësoi këtë vendim si kyrekëput politik.
Ndërkohë nuk kanë munguar edhe reagimet e klasës politike. Në reagimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës thuhet: “Jo rastësisht në Këshillin e ri të TKK-së janë emëruar një ish-këshilltar i ministrit të Kulturës, Haqif Mulliqi dhe një këshilltar i kryeministrit të Kosovës, Fadil Hysaj, për të cilin vetë zoti Avdiu pati deklaruar se e përkrah”.
Sipas partisë opozitare, “Vendimet arbitrare nuk përfundojnë këtu. Ne konsiderojmë se praktikat e manipulimit të konkursit dhe instalimi me diktat politik i udhëheqësve të institucioneve kulturore vetëm sa do ta thellojë edhe më shumë krizën në TKK”.
Edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës thotë se kjo garë ka qenë e drejtuar politikisht. “AAK edhe më herët ka shprehur shqetësimet e veta se TKK është shndërruar në arenë ndërhyrjesh politike dhe grupesh interesi, që po mbajnë peng zhvillimin normal të këtij institucioni të rëndësisë së veçantë kulturore”, thuhet në reagimin e saj. Teatri Kombëtar i Kosovës nuk kishte drejtor që nga shtatori i vitit të kaluar.
Top Channel