Ish-partnerja e Hollande bëhet ministre

02/04/2014 00:00

Ish-partnerja e François Hollande, njëkohësisht nëna e katër fëmijëve të tij, Segolene Royal, është bërë pjesë e kabinetit të ri qeveritar, pas ndryshimeve të ekzekutivit nga socialistët në pushtet.

60-vjeçarja do të jetë ministre e Mjedisit në qeverinë e Manuel Valls, i caktuar kryeministër pas humbjes poshtëruese të Partisë Socialiste në zgjedhjet lokale.

Nga kabineti është larguar ministri i Financave, Pierre Moscovici dhe posti i tij është ndarë mes dy ministrash: financat i merr në dorë Michel Sapin, ndërsa Arnaud Montebourg do të ketë në ngarkim ekonominë dhe industrinë.

Laurent Fabius dhe Jean Yves Le Drian mbajnë pozicionet e tyre, i pari si ministër i Jashtëm, i dyti si drejtues i Ministrisë së Mbrojtjes.

François Hollande është një prej liderëve më pak popullorë të Francës në të gjitha dekadat e fundit dhe arsyeja kryesore e këtij fakti kërkohet tek dështimi i tij për të rivendosur ekonominë franceze në binarë.

Partnerja e fundit zyrtare e presidentit, Valerie Trierweiler, thuhet ta ketë kundërshtuar me forcë caktimin e Royal në çfarëdo lloj pozicioni në qeveri.

Hollande dhe Trierweiler u ndanë në muajin janar pas publikimit të fotove që nxorrën në dritë marrëdhënien e fshehtë të shefit të Elizesë me aktoren 41-vjecare, Julie Gayet.

Top Channel