
Lëvizja Vetëvendosje ka paraqitur alternativën e saj qeverisëse për katër vitet e ardhshme. Kjo lëvizje ka sqaruar edhe qëndrimin rreth zhvillimeve aktuale në Kosovë, siç janë zgjedhjet e reja parlamentare, rikonfigurimi i EULEX-it dhe themelimi i Tribunalit.
Në tubimin e organizuar nga kjo parti u tha se politikanët e korruptuar, strukturat ilegale dhe burokratët ndërkombëtarë janë aktualisht tri kategoritë mbi ligjin në Kosovë.
Sipas liderit Albin Kurti, alternativa qeverisëse e Vetëvendosjes është e vetmja alternativë në Kosovë për ndryshimin e kësaj gjendje. Ai tha se në alternativën e tyre qeverisëse kanë bërë një lidhje të ngushtë dhe harmonike mes shtetit të së drejtës, shtetit zhvillimor dhe shtetit social, pasi që të tria mungojnë dhe janë të domosdoshme.
“Ju e dini që aktualisht kemi tri kategori shumë të mëdha në shoqërinë tonë që janë mbi ligjin. Së pari janë politikanët e korruptuar dhe korrupsioni i tyre i shprehur posaçërisht përmes nepotizmit që bëjnë me familjarët dhe kushërinjtë e tyre, njerëz të cilët sundojnë mbi qytetarët sepse sundojnë përmes ligjit. Ne jemi të gatshëm ta nisim procesin që asnjë qytetar të mos jetë mbi ligjin, sepse vetëm në këtë mënyrë ligji do të jetë ligj i një shteti të sq drejtës”, deklaroi Kurti.
Kurti tha se bashkimi doganor drejt tregut të përbashkët, monedha e përbashkët, komisioni i përhershëm ndërqeveritar i mbrojtjes, i punëve të jashtme, i burimeve njerëzore e të tjera, janë hapat për bashkimin e kombit.
Ai u shpreh se as bashkimin e Mitrovicës, as bashkimin kombëtar nuk i shohin kundër serbëve, as kundër turqve, as kundër pakicave të tjera, madje janë të bindur se të drejtat e tyre duhet të respektohen pa kompromis.
Ndërsa shefi i grupit parlamentar, Visar Ymeri paparaqiti qëndrimet e partisë rreth temave me rëndësi që po zhvillohen kohëve të fundit në Kosovë.
“Gjykatës për UÇK-në i hapi rrugë kryeministri. Janë pikërisht deklaratat e kryeministrit Hashim Thaçi, të cilat i hapën rrugë themelimit të kësaj gjykate kur ai tha se ka qenë vetë larg fronteve të luftës. Ai e sakrifikon UÇK-në për të shpëtuar vetën”, tha Ymeri.
Ndërkohë, për qeverisjen e mirë foli kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti, i cili këtë javë mbush 100 ditë të qeverisjes së tij. Ahmeti tha se 3 nëntori dhe 1 dhjetori kanë dëshmuar se në Kosovë mund të fitohet edhe pa para, pa borxhe e pa u komprometuar.
“Për faktin që nuk kemi kërkuar favore nga askush, tani jemi me duar të lira në qeverisje dhe nuk i kemi borxh askujt asgjë. Nuk kemi kërkuar të bëjmë pazare me subjektet e tjera politike, nuk i kemi kërkuar dikujt që të na ndihmojë dhe kjo tani neve na lejon që me të vërtetë të ndërtojmë një qeverisje mbi baza të shëndosha”, tha Ahmeti.
Ai tha më tej se këto 100 ditë të qeverisjes kanë dëshmuar se ka transparencë radikale, e cila është e kundërta e asaj që kanë pasur në qeverisjen e kaluar.
Top Channel