
" /> ">
“Në këto 3 vjet kemi humbur një rrugë të gjatë. Italia duhet të kthehet të vrapojë”. Ky është mesazhi i dhënë në Londër nga Matteo Renzi, në fund të takimit me kryeministrin britanik, David Cameron.
Kreu i qeverisë italiane ka theksuar më pas se “duhet të vazhdojmë të rritemi së bashku me BE-në dhe partnerët tanë, mes të cilëve edhe Britania e Madhe, në një sistem që nuk bazohet mbi burokracitë”. Ndërsa Cameron i ka siguruar “mbështetjen Renzi-t, veçanërisht për reformat e tij ambicioze”.
“Të dhënat për papunësinë e tregojnë qartë se duhet të punojmë ende, madje shumë”, ka konfirmuar Renzi. “Në vitin 2011, Britania e kishte 11% normën e papunësisë, ndërsa Italia 8,4%, ndërkohë që tashmë raporti ka kaluar në favor të britanikëve me 7% kundrejt 12,3%. Gjatë këtyre viteve kemi humbur shumë rrugë, ndaj dhe duhet të rikthehemi të vrapojmë e të bashkëpunojmë për një sipërmarrje të përbashkët me BE-në dhe partnerët, bazuar mbi rritjen dhe jo burokracinë”.
Për Italinë “ka një interesim tepër të madh”, sa i përket asaj që po bën kohët e fundit. “Mesazhi i mbështetjes ka ardhur, por do të jetë kuptimplotë kur të ulet papunësia dhe do të shihni se në muajt e ardhshëm do të kthehemi sërish nën nivelin me dy shifra të saj”, ka deklaruar Renzi.
Kryeministri italian, në fund të takimit me kryeministrin Cameron, ka konfirmuar se “takimi i ministrave të Energjisë të vendeve të G7 do të mbahet në Itali, përpara atij të krerëve të shteteve të G7, apo qeverive, që do të zhvillohet në Bruksel”.
“Është e nevojshme të kemi një Europë të ndryshme, që lufton kundër atyre që kanë frikë të ndryshojnë”, ka vazhduar më tej Renzi, duke nënvizuar se “nuk ka një Europë të madhe pa prezencën e Britanisë së Madhe, e cila është një nga gjërat themelore për Europën”.
“Italia – ka konfirmuar presidenti i Këshillit italian, – duhet të bëjë pjesën e saj, së bashku me partnerët historikë, për të krijuar një Europë të ndryshme”. Më pas ka shtuar duke folur në anglisht se “Duam një Europë më të mirë dhe jo më shumë Europë (europianizëm)”. Renzi ka theksuar se “në periudhën e fundit Europa ka humbur cilësinë e ëndrrave të saj, duke u bërë vendi i burokracisë absolute”.
Ndërkaq, për kryeministrin britanik Cameron “Europa gjendet tashmë pas Azisë e për këtë arsye duhet të ndërmerren reforma edhe në Bruksel”.
Top Channel