
Faqja federale për klientët amerikanë që duan të regjistrohen për sigurime shëndetësore private bazuar tek “Obamacare” u përfshi dy herë nga problemet gjatë ditës së hënë, për shkak të valës së madhe të njerëzve që përpiqeshin ta hapnin atë disa orë para se afati përfundimtar në mesnatës për regjistrime të skadonte.
Çështjet teknike që penguan aksesin në “HealthCare.gov” për disa orë gjatë ditës, theksuan edhe njëherë shpejtësinë e furishme të minutave të fundit për një proces regjistrimi, që do të përcaktonte suksesin përfundimtar, ose dështimin e ligjit të kujdesit shëndetësor, që përfaqëson edhe arritje sa i përket politikave të brendshme të presidentit Barack Obama.
Më shumë se 6 milionë njerëz janë regjistruar për mbulim me sigurime shëndetësore private në tregjet e sigurimeve gjatë javës së kaluar, duke tejkaluar objektivin e vendosur pas problematikave të jashtëzakonshme gjatë Tetorit, që vunë në diskutim të gjithë procesin. Ndërkohë që kërkesat ditore vazhdojnë të rriten, analistët besojnë se numri përfundimtar i të regjistruarve mund t’i afrohet, ose të tejkalojë, edhe synimin fillestar të këtij ligji, atë të 7 milionë amerikanëve të bërë pjesë e tij.
“E kemi pranuar se kemi pasur një fillim tepër të tmerrshëm, për shkak se faqja e internetit nuk funksiononte siç duhej dhe, pavarësisht humbjes efektive të 2 muajve afërsisht, jemi thuajse shumë pranë projeksionit fillestar të këtij ligji”, tha Obama në një intervistë për “CBS Evening News”, që ishte regjistruar javën e kaluar, por që u transmetua vetëm të hënën.
Një sukses në regjistrime mund t’i japë një shtysë të rëndësishme politike administratës dhe aleatëve demokratë, të cilët u përfshinë në një betejë të fuqishme në një vit zgjedhor me republikanët, mbi të ardhmen e ligjit të ashtuquajtur “Obamacare”, por që në vetvete është thjesht një ligj për Kujdes Shëndetësor për më shumë amerikanë nga sa ka pasur deri para tij.
“Askush nuk e priste të arrinim deri në këtë pikë pas atij fillimi të keq”, tha zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Jay Carney, për reporterët, vetëm pak se të transmetohej intervista e Obama-s. “Por, ia dolëm. Mendoj se meritat do t’i shkruani në raportimet tuaja”.
Top Channel