MH370: Version i ri i fjalëve nga kabina

01/04/2014 00:00

Autoritetet malajziane kanë dhënë një version të ri të komunikimit të fundit mes kontrollit të trafikut ajror dhe kabinës së avionit të humbur të “Malaysia Airlines, gjatë fluturimit MH370.

Fjalët e fundit të dëgjuara ishin “Natën e mirë malajzianë 370”, dhe jo siç u raportua fillimisht “në rregull, natën e mirë”.

Ministri i Transportit tha se hetimet e mjekësisë ligjore mund të përcaktojnë nëse ishte piloti apo zëvendësuesi i tij, që kishte thënë këto fjalë.

Aeroplani, me 239 veta në bord, nisi fluturimin nga Kuala Lumpur drejt Pekinit, kur u zhduk nga radarët më 8 Mars. Kontakti i fundit i aeroplanit ndodhi në 01:19 sipas orës malajziane.

Sipas korrespondentit të BBC-së, versioni i ri i fjalëve të fundit të thëna është disi më formal dhe më i zakonshëm për mënyrën se si mund të flasë një pilot ndaj kontrollit të trafikut ajror, se sa fjalët e publikuara fillimisht.

Megjithatë, ende nuk është e qartë se përse është ndryshuar ky version dhe përse iu desh kaq shumë kohë autoriteteve për të përcaktuar këtë thënie, tha ai.

Më herët gjatë së hënës, kryeministri australian Tony Abbott tha se ekipet e shpëtimit nuk kanë ndonjë afat të kufizuar kohor për gjetjen e avionit të zhdukur, i cili raportohet të ketë rënë në pjesën jugore të Oqeanit Indian, në perëndim të Perth-it, aty ku dhe janë fokusuar avionë e anije kërkimi nga shumë shtete që marrin pjesë në këtë operacion.

Top Channel