Kareli, mandat-arreste për 8 gardianë e policë

01/04/2014 00:00

Sipas burimeve policore, 14 janë policët dhe gardianët e implikuar në vdekjen e Ilir Karelit, 8 prej të cilëve tashmë akuzohen për dhunë ndaj personit, plagosje të rëndë me pasojë vdekjen, dëmtime me dashje, shkelje të rregullave të shërbimit, mosdhënie të ndihmës për personat në nevojë, si dhe për akuzën e pengimit të hetimit, ndërsa 6 të tjerët do të ndiqen të lirë.

Sipas Prokurorisë, deri tani janë arrestuar tre prej gardianëve, ndërsa gjatë orëve në vazhdim do të përfundojnë edhe procedurat për arrestimin e personave të tjerë, të implikuar në këtë ngjarje.

Urdhri i prokurorit erdhi menjëherë sapo mjeku ligjor i spitalit të Seresit, ku dhe humbi jetën Ilir Kareli, dërgoi ekspertizën për vdekjen e tij. Mjeku ligjor doli në përfundimin se ndaj Karelit ishte ushtruar dhunë trupore, atij i ishin thyer brinjë, kishte plagë të rënda në kokë, si dhe mbi të ishte bërë elektroshok.

Prej hetimeve të deritanishme rezulton se, menjëherë pasi Kareli ekzekutoi gardianin grek të burgut, Jorgo Cironi, u dhunua prej disa policëve në burgun e Amfisas. Kur mbërriti në Burgun e Nigritas në Seres, të paktën katër gardianë të këtij burgu e kanë rrahur atë për dy-tri orë pa ndalim.

Kareli nuk lëvizi për disa orë, duke mos e dërguar atë në kohë në spital. Hetimet u morën në dorë prej agjentëve të hetimit të brendshëm të policisë greke dhe nuk u kryen, siç ndodh shpesh në raste të tilla, prej Ministrisë së Drejtësisë.

Kjo, pas reagimeve të ashpra të opinionit grek, por edhe të qeverisë shqiptare, e cila kërkoi hetim të plotë mbi ngjarjen.

Top Channel