
Gjermania i ka kthyer Polonisë një pikturë të shekullit të
tetëmbëdhjetë, që ishte vjedhur nga Muzeu Kombëtar polak nga nazistët në
vitin 1939.
Vepra e artistit venecian Francesco Guardi, e titulluar “Shkallët e Pallatit”, u vodh fare pak kohë pasi trupat gjermane pushtuan vendin.
Berlini shpreson se kjo lëvizje do të rihapë bisedimet për rreth 300 mijë dokumente, përfshirë këtu dorëshkrime të kompozitorëve Mozart dhe Beethoven, që ai dëshiron të marrë nga Polonia.
Ministri i Jashtëm gjerman, Frank Walter Steinmeier ia dorëzoi pikturën homologut polak Radoslaw Sikorski në një ceremoni të mbajtur mbrëmjen e së hënës.
Pas Luftës së Dytë Botërore, piktura ishte vendosur në Universitetin e Heidelbergut dhe më pas ishte spostuar në Galerinë Shtetërore të Baden Uertemberg.
Pronësia e Polonisë u njoh nga fundi i viteve 90. por diferencat politike mes Varshavës dhe Berlinit për çështjen e veprave të artit të humbura gjatë luftës penguan në arritjen e një marrëveshjeje.
“Kjo pikturë ka pasur një odise të gjatë. Ajo përfaqëson historinë e vështirë që lidh dy vendet tona”, deklaroi ministri Steinmeier.
Polonia është ende në kërkim të mijëra artefakteve të vjedhura nga muzetë e saj dhe koleksionistët privatë gjatë luftës, edhe pse shumica e tyre besohet të jenë shkatërruar gjatë konfliktit.
Nga ana e saj, Gjermania kërkon prej kohësh kthimin e rreth 300 mijë librave, pikturave dhe dorëshkrimeve, të njohura si Koleksioni Berlinez, nga Polonia
Top Channel