
Rusia vendosi ta shtojë presionin ekonomik ndaj Kievit. Kompania ruse e gazit “Gazprom” do të rrise me mbi 40 përqind çmimin e gazit për Ukrainën.
Shefi ekzekutiv i kompanisë shtetërore ruse, Aleksei Miller, tha se çmimi i gazit rus për Ukrainën është rritur mbi 385,5 dollarë për 1000 metra kub, për tremujorin e dytë të këtij viti, nga 286,5 dollarë që ishte vendosur më parë.
Miller shtoi se “faturat e papaguara të Ukrainës kapin vlerën e 1,7 miliardë dollarëve”. Megjithatë, ky ishte një nivel, që Kievi e kishte parashikuar.
Në të kaluarën, mosmarrëveshjet për çmimet kanë sjellë si rezultat ndërprerje në furnizimin me gaz të Ukrainës dhe uljen e transportit në Europë, por këtë radhë goditja financiare ndaj Kievit do të zbutet falë një pakete të re huash nga Fondi Monetar Ndërkombëtar.
Vendimi, që ka marrë miratimin e presidentit Vladimir Putin, i jep fund një uljeje çmimi për të cilën ishte rënë dakord në Dhjetor, para krizës dhe aneksimit të Krimesë nga Rusia.
Top Channel