Presidenti i ri sllovak, Andrej Kiska pritet të ndryshojë qëndrimin politik të Sllovakisë në raport me Kosovën. Kështu shkruan në numrin e kësaj të hëne gazeta prestigjioze gjermane “Die Welt”, sipas të cilës, një nga sfidat kryesore të kreut të ri të shtetit do të jetë edhe ajo e shtetit më të ri të Evropës.

Njohja e pavarësisë së Kosovës, Sllovakisë i është kërkuar nga vendet kryesore të BE-së, por edhe nga euro-deputetë përmes rezolutave të ndryshme. Gazeta kujton se, Sllovakia nuk e ka njohur Kosovën nga frika që ka nga minoriteti hungarez në këtë vend.

“Udhëheqja e deritashme ka menduar se me njohjen e Kosovës mund të zgjojë ndjenjat seperatiste të minoritetit hungarez që jeton në kufirin Sllovaki-Hungari”, shkruan e përditshmja.

Por, sipas saj, presidenti i ri i zgjedhur, Andrej Kiska, e konsideron të tepruar këtë brengë dhe dëshiron që të ndryshojë politikën e jashtme të Sllovakisë përballë Kosovës, dhe njohja e pavarësisë mund të ndodhë së shpejti.

Milioneri Andrej Kiska fitoi bindshëm zgjedhjet presidenciale në Sllovaki, ku kandidoi si i pavarur përballë rivalit Robert Fico, me rezultatin 60 me 40 për qind të votave.

Sllovakia është një nga pesë vendet anëtare të Bashkimit Evropian, bashkë me Spanjën, Greqinë, Rumaninë dhe Qipron, që ende nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës.

Top Channel