Projektligji për Veteranët e Luftës, i cili është bërë mollë sherri ndërmjet partive politike, do të jetë në rend dite të enjten në Kuvendin e Kosovës. Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi tha se nuk e sheh të arsyeshme që për miratimin e këtij ligji të bëhet kaq shumë zhurmë.

Ai theksoi se në Kosovë nuk ka pasur grupime ushtarake, por vetëm Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe gjithçka që është zhvilluar, është zhvilluar nën atë emblemë.

“Për mua është e paarsyeshme që kur të miratojmë një ligj të ndajmë historinë. Në Parlament nuk shkruhet histori, aty miratohen ligje për qytetarët e Kosovës”, deklaroi Krasniqi.

Ndërsa shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri tha se është fyese dhe injoruese ajo çfarë po bën kryeministri Thaçi, që sipas tij gjithçka po e përdor për fushatë. Ai tha se amandamentet LDK-së mbeten të qëndrueshme.

“Amendamentet tona janë absolutisht të bazuara dhe ata që duan t’i ndajnë luftëtarët janë Thaçi dhe PDK-ja e tij. Kjo është shumë e qartë. Ne nuk na pengojnë ata që kanë luftuar, por të tjerët po i pengojnë ata”, deklaroi Beqiri.

Ndërkohë, deputeti i PDK-së Ilmi Reqica vlerësoi se ligji po bëhet që t’u njihet statusi ushtarëve të UÇK-së, sepse sipas tij, nuk ka pasur formacion tjetër ushtarak.

“Duhet t’u njihet statusi i veteranit atyre që kanë bartur emblemën e UÇK-së. Bëhet fjalë për një formacion ushtarak që ka luftuar dhe falë atyre ka ndodhur ajo për të cilën është investuar kaq shumë”, tha Reqica.

Ndërsa, Ardian Gjini nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës u shpreh se, do të ishte absurde mosnjohja e statusit të gjithë atyre që kanë luftuar kundër pushtuesit serb.

Debati lidhur me projektligjin për veteranët është fokusuar në amendamentet e LDK-së, ku ushtarëve të cilët kanë luftuar nën komandën e ish-Ministrisë së Mbrojtjes në qeverinë në ekzil, të udhëhequr në atë kohë nga Bujar Bukoshi, duhet t’u njihet statusi i veteranëve. Përfaqësuesit e LDK-së akuzojnë kryeministrin Hashim Thaçi që sipas tyre po bën ndarje mes luftëtarëve të UÇK-së.

Në seancën e radhës deputetët besojnë do të ketë kuorum për votimin e projektligjit për zgjedhjet e përgjithshme, pasi javën e kaluar ky projektligj nuk është diskutuar për shkak të mungesës së deputetëve, sidomos atyre të partive në pushtet.

Top Channel