
Krahas zonës së lirë ekonomike, kryetari i Komunës së Mitrovicës dëshiron që në atje të ndërtojë edhe një park biznesi. Të hënën ai aplikoi për liçencë pranë Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë.
Sipas kryetarit Agim Bahtiri, buxheti për parkun industrial në të cilin do të mund të operonin biznese të ndryshme ka një kosto prej 1 milionë euro, një shumë kjo ende e pasiguruar.
Në konferencën e përbashkët me Ministrin e Tregtisë dhe Industrisë, kreu i Mitrovicës sqaroi se qeveria e Kosovës ka shpallur zonë të lirë ekonomike Mitrovicën si të bashkuar veri-jug.
“Ne do të investojmë këtu. Qeveria dhe komuna bashkarisht do të punojnë për rrafshimin e burokracive dhe për ta kthyer këtë në vend atraktiv për biznes”, deklaroi Bahtiri.
Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bernard Nikaj tha se parku i biznesit në Mitrovicë do të funksionojë në kuadër të zonës së lirë ekonomike për të cilën është vendsour në qeveri.
Sipas tij, do të caktohet një hapësirë toke e rrethuar, ku përveç lehtësirave fiskale që do të ofrohen për bizneset do të ketë edhe lehtësira infrastrukturore.
Ndërkohë, qeveria e Kosovës ende nuk ka një periudhë kohore të saktë brenda të cilës do të funksionalizohen dy zonat e lira ekonomike, në Mitrovcicë dhe Gjakovë.
Për shkak të proçedurave që kërkohen, Ministria e Tregtisë tani për tani nuk e di numrin e bizneseve që mund të përfitojnë duke operuar në këtë zonë të lirë.
“Këshilli kombëtar për zonat ekonomike bashkë me komunat të krijojnë bordet menaxhuese të këtyre zonave. Vetëm atëherë ne do të nisim aplikimin për bizneset. Unë besoj se brenda muajit prill do ta funksionalizojmë bordin dhe do të nisë aplikimi i bizneseve”, deklaroi ministri Nikaj.
Nga ana tjetër, burime brenda Ministrisë së Tregtisë thanë se zona e lirë ekonomike e Prizrenit ka qenë vendimi i befasishëm i kryeministrit pasi për rajonin e Prizrenit nuk është bërë studimi i fizibilitetit.
Sidoqoftë, qeveria e Kosovës ka bërë gjashtë studime të cilat tregojnë fushat në të cilat duhet të investohet në Kosovë, përparësi kanë sektori i turizmit, agro biznesit, përpunimi i lëkurës, i metaleve sektori i shërbimeve, etj.
Top Channel