Pakistan, Musharraf akuzohet për tradhëti

31/03/2014 00:00

Një gjykatë në Pakistan ka akuzuar ish-udhëheqësin ushtarak Pervez Musharraf për tradhëti, duke e kthyer kështu në komandantin e parë të forcave të armatosura që përballet me një akuzë të tillë.

Zoti Musharraf akuzohet për pezullim të paligjshëm të Kushtetutës dhe për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në vitin 2007.

Në sallën e gjyqit ai u vetëdeklarua i pafajshëm dhe vijoi me pretendimin se akuzat ndaj tij janë të motivuara politikisht. Nëse dënohet, ai rrezikon dënimin me vdekje.

President i vendit nga viti 2001 në 2008, ai ka qenë një nga udhëheqësit më jetëgjatë të Pakistanit. Ai jetoi në një mërgim të vetë-imponuar në vitin 2008, për t’u kthyer në Pakistan në mars 2013.

 Ai shpresonte të udhëhiqte partinë e tij në zgjedhje, por u skualifikua nga garimi dhe e gjeti veten përballë një vale akuzash të lidhura me qeverisjen e tij.

Ish-lideri 70-vjeçar ndodhet në spital që nga fillimi i vitit dhe raportohet se po mjekohet presion të gjakut. Ditën e hënë gjykata hodhi poshtë gjithashtu kërkesën e Musharraf për t’u larguar nga vendi, për të vizituar të ëmën e sëmurë në Dubai.

Aktualisht ai ndodhet në arrest shtëpie dhe emri i tij është futur në një listë emrash të cilëve u ndalohet rreptësisht dalja jashtë vendit. Gjyqtarët e hodhën poshtë kërkesën e tij me argumentin se vetëm qeveria ka autoritetin për të hequr atë nga lista në fjalë.

Kur ish-presidenti hyri në sallën e gjyqit masat e sigurisë ishin tepër të larta, ndërsa ai vetë u shfaq i qetë dhe disa herë përshëndeti të pranishmit.

Top Channel