Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti ka thënë se fushata që ka ndërmarrë partia e tij për zgjedhjet presidenciale është referendum për shqiptarët, për t’i thënë “jo” presidentit të njëanshëm në Maqedoni.

Para simpatizantëve të BDI-së në Gostivar, Ahmeti ka thënë se kandidatura e Iljaz Halimit në garën presidenciale në Maqedoni është rezultat i pazareve të politikës ditore.

“Ne nuk tërhiqemi nga ideja jonë dhe ky takim dhe të gjitha takimet e tjera janë një referendum i shqiptarëve që t’i thonë “jo” një presidenti pa marrëveshje dhe që të tregojnë se duam një president, që palët që kanë legjitimitet të ulen dhe të bisedojnë se si ta zgjedhin”, ka deklaruar Ahmeti.

Por, lideri i PDSH-së Menduh Thaçi vlerëson se nëse shqiptarët dalin masivisht në votime, Iljaz Halimi mund ta ndryshojë historinë në Maqedoni, duke kaluar në raundin e dytë të garës presidenciale.

“Ne do të marrin mbi 300 mijë vota me profesor Iljazin dhe do të jetë shumë sepse cilido kandidat apo parti maqedonase, që do të dojë që zgjedhjet presidenciale të jenë të suksesshme duhet të ballafaqohet në raundin e dytë me ne”, ka deklaruar Thaçi.

“Çfarë do të kërkojmë ne? Është shumë e thjeshtë. Largimin e përmendores së Car Dushanit nga sheshi i Shkupit, pengimin e ndërtimit të shtëpisë së oficerëve serbë mbi Burmali Xhaminë dhe ndarjen e drejtë të buxhetit të shtetit”, ka vijuar kreu i PDSH-së.

Ndërkohë, në bllokun politik maqedonas, kandidati i LSDM-së Stevo Pendarovski, gjatë një tubimi në Strumicë premtoi se nëse fiton në zgjedhje do të angazhohet për të ndaluar largimin e të rinjve nga vendi dhe do të punojë për eliminimin e ndarjeve partiake.

Ndërsa kandidati i VMRO-DPMNE-së, Gjorgje Ivanov, para banorëve të Gjevgjelisë tha se, si president i Maqedonisë në pesë vitet e ardhshme do të jetë gjithmonë pranë qytetarëve.

Top Channel