Turqi, nis numërimi për zgjedhjet lokale

30/03/2014 00:00

Në Turqi nisi numërimi i votave për zgjedhjet lokale, pas mbylljes së kutive të votimit në orën 17:00. Rezultatet e para të zgjedhjeve, që konsiderohen një test i rëndësishëm për kryeministrin turk, Recep Tayyip Erdogan, priten rreth orës 21:00. Këto janë zgjedhjet e para, prej protestave masive të Qershorit dhe skandalit që përfshiu qeverinë.

Procesi i votimit shkoi paqësisht në shumë zona të vendit, por raportohet për tetë persona të vrarë në dy incidente të ndara, ku u përfshinë përkrahësit e kandidatëve kundërshtarë. Familje armike mes tyre u përleshën në qytetin jugor të Hatait, si dhe në provincën Sanliurfa.

Nëse partia AKP e kryeministrit turk humbet Stambollin, që drejtohet nga aleati i kryeministrit turk, Kadir Topbas, Erdogan goditet rëndë politikisht. Mustafa Sarigul është njeriu që dëshiron ta bëjë këtë goditje.

Kryetari i Bashkisë së Sisli-t, lagjes së pasur të Stambollit, është kandidat i partisë opozitare sekulariste, Partia e Popullit Republikan, në Stamboll. Sondazhet parashikojnë një rezultat të ngushtë.

Sarigul premton internet falas në të gjithë qytetin në rast se fiton, po ashtu edhe përdorimin gratis të transportit publik për studentët. Shenja të qarta këto, se 57-vjeçari dëshiron të bëjë për vete në radhë të parë të rinjtë.

Erdogan e quan Sarigul-in “anarkist”. Kryetari i “Partia e Popullit Republikan”, Kemal Kilicdaroglu, e quan Erdogan-in “kryehajdut”, ndërsa kryeministri akuzon kundërshtarët se kanë krijuar një “organizatë terroriste” për të rrëzuar qeverinë.

Gati çdo ditë shfaqen në internet regjistrime të reja të telefonatave, që e vënë atë në siklet apo anëtarë të tjerë të qeverisë. Herë është fjala për ryshfet, herë për presion mbi median. Kryeministri vetë i sheh të gjitha këto si komplot të lëvizjes së predikuesit islamik, Fethullah Gulen, i cili e ka mbështetur për një kohë të gjatë AKP-në.

Skenarët e mundshëm pas shpalljes së rezultatit

Por, cilët janë skenarët e mundshëm pas shpalljes së rezultatit? Përgjigja e kësaj pyetjeje lidhet ngushtë me rezultatin e zgjedhjeve të së dielës.

Sipas sondazheve, AKP do të marrë ndërmjet 35 dhe 45 përqind, për shkak se ajo e ka ende mbështetjen e bazës së saj konservatore. Kjo do të thotë që ajo mbetet partia më e fortë, por në krahasim me zgjedhjet parlamentare të vitit 2011, kur ajo fitoi gati 50 përqind, do të humbasë vota.

Erdogan do të konsiderojë çdo rezultat, që është mbi rezultatin e zgjedhjeve lokale të vitit 2009, si sukses, ndërkohë që atëherë partia e tij arriti në 38.8 përqind.

Nëse AKP bie nën këtë prag dhe humbet edhe qytete të rëndësishme si Ankaraja apo Stambolli, Erdogan nuk do t’i realizojë dot ambiciet për president. Zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare do të zhvillohen në muajin Gusht.

Kundërshtarët e tij e dinë këtë dhe bëjnë thirrje në internet, që të gjitha votat e opozitës të përqendrohen te kandidati i Partisë së Popullit Republikan, të Sarigul-it. Sipas vëzhguesve, brenda AKP-së po rritet pakënaqësia ndaj linjës së Erdogan-it.

Ka një “opozitë të heshtur” brenda partisë në pushtet, e cila aktualisht nuk guxon të dalë hapur, i thotë “Deutsche Ëelle”-s, autori dhe kolumnisti Mustafa Akyol. Vetëm nëse popullariteti i Erdogan bie te votuesit besnikë të AKP-së, atëherë mund të imagjinohet një revolucion i pallatit kundër 60-vjeçarit.

Por, edhe sikur AKP të fitojë më shumë se 40 përqind, situata nuk ka për t’u qetësuar. Erdogan ka deklaruar tashmë se, pas ditës së zgjedhjeve, do të veprojë më me forcë kundër lëvizjes Gulen. Mediat spekulojnë për masa ndaj firmave dhe shoqatave, që janë të afërta me lëvizjen.

Top Channel