Në mënyrë jo të drejtpërdrejtë, kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi përjashtoi mundësinë, që brenda ligjit për veteranët e UÇK-së të hyjnë edhe amendamentet e propozuara nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Sipas Thaçit, ligji nuk duhet të përshkruajë historikun e partive politike, por realitetin e luftës çlirimtare.

Gjatë vizitës që i bëri një biznesi kosovar, në kuadër të vizitave të kësaj natyre, kryeministri Thaçi paralajmëroi se do të thërrasë mbledhje të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës për miratimin e ligjit për veteranët, nëse kjo nuk caktohet në mbledhjen e kryesisë, të hënën.

“Nesër kryesia e Kuvendit ka mbledhje. Dua të shpresoj dhe besoj fuqishëm që ligji për veteranët e UÇK-së do të hyjë në rendin e ditës. Nuk ka asnjë arsye, sado të vogël, që kjo çështje të shtyhet. Nëse kjo nuk bëhet, atëherë unë do të thërras një mbledhje të jashtëzakonshme të Parlamentit të Kosovës, që ky ligj të kalojë sa më shpejt të jetë e mundur. Ligji për të rënët e luftës është ligj i veteranëve të luftës, i punuar prej tyre, në konsultim të ngushtë me zyrën time, i iniciuar nga unë, ka tashmë edhe mbështetjen e plotë të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe askush nuk ka të drejtë ta politizojë për çështje të politikës ditore, apo elektorale”, tha Hashim Thaçi, kryeministër i Kosovës.

Amendamenti i propozuar nga LDK-ja kërkon që, krahas Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së si organizatore e luftës çlirimtare, të theksohet edhe roli i Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Kosovës.

“Historia nuk shkruhet me ligje, por me realitetin. Ligji përshkruan realitetin e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe jo historikun e partive politike”, theksoi më tej Thaçi.

Sa i përket takimit të radhës, të hënën, me përfaqësuesit e qeverisë së Serbisë, në Bruksel, Thaçi tha se pret përfundimin e marrëveshjes për sistemin e drejtësisë.

“Nuk është diçka e jashtëzakonshme. Pritet përmbyllja e marrëveshjes për sistemin e drejtësisë dhe funksionalizimin e tij në veri të Kosovës.

Duke u përgjigjur ndaj interesimit të gazetarëve, kryeministri Thaçi foli edhe për krijimin e Forcave të Armatosura të Kosovës. Ai shfaqi besimin e plotë se transformimi i FSK-së do të ndodhë brenda këtij mandati legjislativ.

Ndërkohë, duke folur për akuzat e opozitës, se Thaçi po përdor postin dhe paratë publike për fushatë parazgjedhore, numri një i ekzekutivit kosovar paralajmëroi shtim të aktiviteteve, pasi – siç tha ai – nëpërmjet tyre po kryen detyrime, që dalin nga ligjet dhe Kushtetuta për të mirën e Kosovës.

Top Channel