Rikthehen protestat në Tajlandë

29/03/2014 00:00

Mijëra protestues anti-qeveritarë janë mbledhur sërish në disa qytete të Tajlandës, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministres Yingluck Shinawatra.

Turma të mëdha njerëzish me flamurin tajlandez në duar kanë marshuar në rrugë të ndryshme duke filluar nga parku kryesor i kryeqytetit Bangkok.

Bëhet fjalë për një nga tubimet më të mëdha që kur një gjykatë në vend i shpalli zgjedhjet e 2 shkurtit të paligjshme.

Deri më sot në vendin aziatik ishte verifikuar një lehtësim i tensioneve që nga mbajtja e manifestimeve masive të nisura katër muaj më parë.

Aktivistët anti-qeveritarë kërkojnë që kryeministrja të dorëhiqet dhe që sistemi politik të reformohet. Në kulmin e demonstratave, që filluan në nëntor, protestuesit bllokuan rrugët kryesore të Bangkokut si dhe zaptuan godinat e ministrive.

Protestat e së shtunës nisën nga parku Lumpini në Bangkok dhe u përhapën në gjashtë rrugë të ndryshme drejt qendrës së kryeqytetit.

“Duam t’i themi qeverisë se populli nuk e pranon më dhe se qytetarët kërkojnë një reformë të menjëhershme që të ndryshojë vendin”, deklaroi lideri i protestuesve Suthep Thaugsuban.

Ai paralajmëroi autoritetet që të mos riorganizojnë zgjedhjet, pasi çdo proces i tillë do të bojkotohet nga qytetarët. Demonstratat vijnë një javë pasi Gjykata Kushtetuese e Tajlandës i shpalli zgjedhjet e përgjithshme të 2 shkurtit të pavlefshme.

Partia në pushtet pritej të fitonte, por opozita i bojkotoi votimet dhe manifestuesit prishën procesin, duke bërë që ato të mos kishin një ecuri pozitive.

Top Channel