
Pas Gjakovës dhe Mitrovicës, Prizreni shpallet zonë e lirë ekonomike nga Qeveria e Kosovës. Kryeministri kosovar Hashim Thaçi ka arsyetuar vendimin e tij, që edhe ky qytet të shpallet zonë e lirë ekonomike.
“Në bazë të konsultave, debatit dhe dialogut që kemi zhvilluar me komunitetin e biznesit dhe qytetarët në Prizren, në bazë të nevojës dhe interesit të komunitetit të biznesit, që të kenë hapësirë dhe mundësi më të mirë të të bërit biznes, joshjes dhe krijimit të kushteve më të mira për partnerët dhe investitorë të jashtëm dhe mundësisë më të mirë për krijimin e vendeve të reja të punës; pozitës jashtëzakonisht të mirë gjeografike në rajon, si qyteti më atraktiv për jetuar në hapësirat shqiptare; lidhja e mirë me rrjetin rrugor, veçmas me autostradën e kombit, që na mundëson qasje të lehtë në portet e Durrësit dhe Shëngjinit; afërsia me Shqipërinë dhe Maqedoninë; afërsia me qendrën më atraktive në rajon, të skijimit në Brezovicë; interesi i shtuar i bizneseve nga diaspora dhe bizneseve nga qytetet e vllazëruara me Prizrenin, si dhe burimet e shumta njerëzore që disponon Prizreni, propozojmë që të shpallim zonë të lirë ekonomike qytetin e Prizrenit”, deklaroi Hashim Thaçi, kryeministër i Kosovës.
Në këtë mbledhje, kryeministri u bëri thirrje deputetëve të Kuvendit ta votojnë ligjin për veteranët e luftës së UÇK-së. Sipas tij, nuk ka asnjë arsye që ky ligj të mos votohet, në mënyrë që çështja e veteranëve të zgjidhet njëherë e përgjithmonë.
“Ai ligj ka kaluar leximin e parë, është bërë dëgjimi publik, ka kaluar në të gjitha komisionet, ndaj edhe njëherë i bëjmë ftesë të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës, që të aprovojnë ligjin për veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës sa më shpejt që është e mundur dhe në asnjë rrethanë, padrejtësisht, të mos vonohet nga Kuvendi i Republikës së Kosovës”, u shpreh më tej Hashim Thaçi.
Në mbledhjen e ekzekutivit, zëvendëskryeministri Behxhet Pacolli ka propozuar që Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës, të përgatisin analizën dhe propozimin e ndërtimit të kompleksit të hapësirave qeveritare në hapësirat e “Prishtinës së re”.
Ky propozim është miratuar nga kabineti qeveritar, ku parashikohet që Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Komuna e Prishtinës, deri në Tetor të këtij viti, të përgatisin këtë propozim me analizat dhe studimet e nevojshme, në mënyrë që të fillohet me procedurat e shpalljes së tenderit ndërkombëtar, për planifikim dhe ndërtim të hapësirave të reja qeveritare në zonën e “Prishtinës së re”.
Qeveria e Kosovës ka miratuar po ashtu projektligjin për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Shoqëritë Tregtare. Po kështu u aprovua themelimi i Ndërmarrjes Publike Qendrore “Aeroporti i Gjakovës”. Ndërkohë, u miratua edhe Raporti vjetor financiar për Buxhetin, që përfundon më 31 Dhjetor 2013.
Top Channel