
Në Kosovë ka kohë që po diskutohet për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare. U tha fillimisht që do të ishte Qershori, muaji në të cilin qytetarët e Kosovës do të shkonin në votime, por me kalimin e ditëve duket se vjeshta, nga Shtatori apo Tetori, është diskutuar më së shumti nga skena politike në Prishtinë.
Ndërkohë, në anën tjetër, kemi ende një reformë zgjedhore të papërfunduar, ashtu siç dhe ndodhi në seancën e së premtes në Parlamentin e Kosovës. Për të diskutuar se kur do të mbahen zgjedhjet do të bisedojmë nga Prishtina me kolegun Ardian Arifi, i ftuar në zyrën e Top Channel në Prishtinë.
Analisti Arifi ka deklaruar në bashkëbisedimin e tij me kryeredaktorin Pandi Gjata se atmosfera në Kosovë duket sikur ka hyrë në fushatë zgjedhore, edhe pse zyrtarisht ajo nuk ka nisur, ndërkohë që me siguri dihet vetëm fakti që zgjedhje do të ketë dhe se për qytetarët kosovarë e rëndësishme do të jetë që zgjedhjet të jenë të lira, të drejta dhe rezultati i tyre të pranohet nga të gjitha palët. Kjo e bën të parëndësishme datën se kur do të mbahen këto zgjedhje.
Sipas tij, është e pakuptueshme nxitimi që ka pasur klasa politike kosovare në mënyrë që zgjedhjet të mbahen sa më parë, në një kohë që nuk ka përfunduar as reforma zgjedhore dhe kur ende nuk jemi të sigurt se partitë janë të gatshme për zhvillimin e këtyre zgjedhjeve.
Ardian Arifi, i pyetur se cilës prej partive i intereson që zgjedhjet parlamentare të mbahen në Qershor dhe kujt në vjeshtë, është shprehur se partitë që po nxitohen më shumë, në mënyrë paradoksale duket se janë vet ato opozitare, të cilat nuk janë ende gati të përballen me partinë kryesore në qeveri, PDK-në. Ai shton se për këtë nxitim mund të ketë ndikuar edhe rezultati i zgjedhjeve komunale, pas llogarive të të cilëve u duk sikur dy partitë kryesore opozitare, LDK dhe AAK, i kanë siguruar votat e duhura për t’u inkurajuar për një “betejë” me PDK-në. Por kjo ndjesi nuk duket se ndahet edhe nga qytetarët kosovarë, të cilët nga sa u pa qartë në zgjedhjet e Nëntorit të kaluar vota e tyre mund të lexohet si një “dënim” për LDK dhe AAK, se sa si shpërblim.
Sa i përket marrëveshjes së shumëpërfolur mes Thaçit dhe Mustafës, për mbajtjen e zgjedhjeve në muajin Qershor, gjë që në rast se nuk ndodh kështu mund të konsiderohet si një marrëveshje “e grisur” ose marrëveshje në perspektivë për një bashkëpunim pas zgjedhjeve, Arifi tha se nga kjo marrëveshje nuk ka dalë as edhe një detaj, mbetet ende një gjë e dakordësuar vetëm mes dy liderëve respektivë, ndërkohë që për popullin kosovar më shumë se sa interesi politik i tyre ka rëndësi interesi i përgjithshëm i Kosovës, në mënyrë që zgjedhjet të jenë të lira, të drejta, dhe që qytetarët të votojnë pa probleme.
Ndërkohë, për konfigurimin e ardhshëm të politikës kosovare, pra cilat parti do të jenë në qeverisje dhe cilat në opozitë, Arifi theksoi se është diçka e paparashikueshme, pasi shumë gjëra do të varen nga reforma elektorale, nga vazhdimi apo jo i vendeve të garantuara për pakicat në Kuvend, nëse do të lejohet të votohet edhe me dokumente që nuk janë të Republikës së Kosovës, por sigurisht edhe nga pjesëmarrja në votime. Në fund, këto do të përcaktojnë jo vetëm konfigurimin e politikës kosovare, veçanërisht të partive qeveritare e opozitare, por edhe fakti nëse Kosova do të vazhdojë përpara me një koalicion të gjerë, apo do të qeveriset nga një parti kryesore, e cila do të mbështetet nga aleatë të tjerë më të vegjël.
Top Channel