
Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga po zhvillon një vizitë në selinë e
OKB-së në Nju Jork, ku është takuar me sekretarin e përgjithshëm të
OKB-së, Ban Ki Moon, me të cilin ka biseduar për zhvillimet aktuale në
Kosovë.
Sipas një njoftimi të Presidencës, gjatë takimit Jahjaga vlerësoi rolin e sekretarit Ban Ki Moon në mbështetje të Kosovës dhe theksoi rëndësinë e vazhdimit të bashkëpunimit me OKB-në në arritjen e përparimit të mëtejshëm të Kosovës.
“Kosova është e përkushtuar që të bëhet partnere e besueshme e OKB-së dhe anëtare me të drejta të plota e organizatës botërore, si shtet i pavarur”, deklaroi Jahjaga.
Presidentja theksoi se rajoni i Ballkanit ndodhet në një moment vendimtar, kur është hapur mundësia për një paqe të qëndrueshme pas fillimit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre.
Ajo nënvizoi se BE-ja ka ndërmarrë hapa konkretë për të fuqizuar këtë moment dhe shtoi se janë arritur marrëveshje të rëndësishme, të cilat gjithësesi duhet të zbatohen në praktikë.
Gjithashtu, zonja Jahjaga vuri në dukje rëndësinë që rruga e Serbisë drejt BE-së të kushtëzohet me normalizimin e plotë të marrëdhënieve me Kosovën.
“Rruga e hapur për integrimin evropian të Kosovës dhe gjithë vendeve të rajonit të Ballkanit do sigurojë më shumë stabilitet, zhvillim ekonomik të secilit vend dhe gjithashtu shumë përparim”, tha kryetarja e shtetit.
Jahjaga theksoi më tej se Kosova vazhdon të aspirojë anëtarësimin në të gjitha organizatat ndërkombëtare, para së gjithash në BE, pavarësisht pengesave me mosnjohjen e sovranitetit të saj nga pesë vendet anëtare.
Nga ana e tij, Ban Ki Moon vlerësoi zhvillimet pozitive në gjithë rajonin e Ballkanit, me theks të posaçëm në dialogun e zhvilluar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve.
Sekretari i përgjithshëm theksoi rëndësinë e zbatimit të marrëveshjeve të arritura në procesin e dialogut të lehtësuar nga BE dhe vazhdimin e angazhimit në ruajtjen e paqes dhe të stabilitetit në Ballkan.
Top Channel