
Rrahje brutale, abuzime seksuale dhe tortura me korrent po ushtrohen ndaj të dënuarve në Egjipt, përfshirë këtu ata në moshë të vogël. Lajmin e bën të ditur BBC që u referohet disa dëshmive të mbledhura.
Rreth 20 mijë persona vlerësohet të jenë arrestuar që nga korriku i kaluar, në ofensivën ndaj protestuesve që pas rrëzimit të Mohammad Morsit kundërshtojnë qeverinë pro-ushtarake.
Numri i personave që dalin nga burgu dhe denoncojnë torturat është rritur ndjeshëm, por pretendimet e tyre përgënjeshtrohen nga autoritetet.
Për 15-vjeçarin Ahmed Abdel Fattah, telashet filluan më 24 janar, kur dashuria e tij për telefonin celular i kushtoi atij lirinë. Ai po e përdorte telefonin për të filmuar një protestë islamike që po mbahej pranë shtëpisë së tij në provincën Sharkija, në veri të Kajros.
“Isha kurioz. Përse të mos filmoja diçka që shoh çdo natë në televizor?”, ka thënë adoleshenti për rrjetin informativ britanik. Kur disa persona u përpoqën t’i merrnin telefonin ai bëri rezistencë, kështu që ata ia dorëzuan policisë.
Me pak ndroje dhe tronditje, djaloshi thotë se kur ra në duart e policisë përjetoi 34 ditë tortura në stacionin lokal të forcave të rendit. “Më torturonin me elektroshok tek shpina, tek krahët dhe në pjesë të tjera të ndjeshme të turpit”, tregon Fattah.
“Dhe kur unë rrëzohesha në tokë dhe s’kisha fuqi të ngrihesha, ata më rrihnin, ndërsa herë të tjera më lagnin me ujë dhe rrisnin voltazhin”, rrëfen më tej 15-vjeçari.
Top Channel