
Oda Ekonomike e Kosovës dhe Ministria e Punëve të Jashtme kanë
nënshkruar një memorandum bashkëpunimi, me të cilin do të koordinojnë
aktivitetet për intensifikimin e diplomacisë ekonomike.
Memorandumi ka për qëllim realizimin e pesë hapave konkretë: sjelljen e investitorëve, emërimin e atasheve ekonomikë, prezantimin e imazhit të Kosovës, prezantimin e produkteve të Kosovës jashtë vendit dhe organizimin e forumeve ekonomike.
Me këtë rast, ministri i Jashtëm Enver Hoxhaj tha se diplomacia ekonomike është prioritet i shumë vendeve të mëdha e jo vetëm i shteteve të vogla dhe të reja siç është Kosova.
“Hapi i parë është prezantimi i produkteve të Kosovës në tregjet jashtë vendit, si në Evropën juglindore, në vendet anëtare të BE-së dhe përtej kësaj. Hapi i dytë është sjellja e investitorëve të huaj në Kosovë, hapi i tretë është organizimi i forumeve ekonomike dhe forumeve të investitorëve brenda dhe jashtë Kosovës, hapi i katërt prezantimi i një imazhi real të Kosovës dhe i pesti emërimi i atasheve ekonomikë, ku në ambasadat kyçe të Kosovës do të kemi nga një të tillë, që do të jenë urë lidhëse mes MPJ-së me të gjitha ministritë dhe komunat e tjera”, deklaroi Hoxhaj.
“Orientimi i Kosovës në të ardhmen do të jetë në fuqizimin e katër E-ve. E para është Evropa, e dyta është ekonomia, e treta është edukimi dhe e katërta është ambientalizmi. Dhe me siguri në këtë drejtim edhe komuniteti i biznesit do të jetë një zë i fuqishëm i përshpejtimit të këtyre proceseve, sepse jemi të mendimit që atë që bën MPJ-ja dhe institucionet vendore në integrim evropian nga këndvështrimi politik, ne duhet të jemi ata që ta përshpejtojmë këtë proces përmes integrimit ekonomik”, tha nga ana tjetër Safet Gerxhaliu, kryetar i OEK-ut.
Një ditë me parë edhe kryeministri kosovar vizitoi OEK-un, nga ku dhe paralajmëroi vendimin për themelimin e Fondit të Punësimit prej një miliard euro.
Top Channel