Pesë aeroplanë kanë arritur të identifikojnë një “numër objektesh” në një zonë të re kërkimi në Oqeanin Indian, ku besohet se mund të ketë përfunduar fluturimi fatkeq i “Malaysia Airlines”.
Fluturimi “MH370”, me destinacion nga Kuala Lumpuri në Pekin u zhduk në mënyrë enigmatike tre javë më parë dhe ende nuk janë lokalizuar gjurmë të tij.
Pasi të zbardhë e shtuna, një numër anijesh australiane do të patrullojnë zonën, me qëllim që të identifikojnë nëse pjesët e zbuluara i përkasin fluturimit “MH370”-s.
Gjatë ditës, zona e kërkimeve u spostua rreth 1 100 kilometra në verilindje të zonës ku zhvilloheshin kërkimet e mëparshme dhe duket se një lëvizje e tillë mund të ketë dhënë rezultat.
Më parë gjatë javës, kryeministri i Malajzisë publikoi një deklaratë, në të cilën informoi se “fatkeqësisht, përtej çdo dyshimi, mund të konfirmohet se asnjë prej 239 udhëtarëve në bord nuk ka mbijetuar”.
Pilotët e avionit të parë australian që zbuloi pjesët e paidentifikuara në det thanë se kishin parë dy pjesë metalike drejtkëndore, me ngjyrë blu në gri, që përputhet me ngjyra e jashtme të avionëve të “Malaysian Airlines”.
Tre avionë të tjerë kërkimorë konfirmuan pikasjen e pjesëve që i përputhen këtij përshkrimi.
Top Channel