Gërmimet në varrezën masive në Rashkë të Serbisë duket se nuk do të
nisin edhe aq shpejt, meqë pala kosovare po akuzon Serbinë për
destruktivitet.

Zëvendëskryeministrja e Kosovës, Edita Tahiri bëri të ditur të enjten se Prishtina zyrtare po ka probleme për t’u marrë vesh me Beogradin zyrtar rreth fillimit të punimeve dhe se pa u sqaruar plani i veprimit, vështirë se do të nisin gërmimet.

“Ne kemi vendosur që projekti për Rashkën të jetë një projekt gjithëpërfshirës. Pra, nuk e kemi pranuar qasjen e Serbisë që të fillohet me qasje parciale, duke filluar së pari me hulumtime e më pas të shkohet tek trajtimi gjithëpërfshirës. Ne kërkojmë që së pari të vendoset një projekt konkret, i dakorduar me të gjitha palët, nga Kosova, Serbia dhe faktori ndërkombëtar”, tha Tahiri, e cituar nga “REL”.

Të enjten në Prishtinë u zhvillua takimi i radhës i Komisionit qeveritar për personat e pagjetur, ku zëvendëskryeministrja përsëriti kërkesën e saj drejtuar Bashkimit Evropian, që urgjentisht të caktojë një emisar për të çështjen e të zhdukurve.

Varreza masive në Rudnicë të Rashkës u zbulua në dhjetor të vitit të kaluar, ndërsa ekipet mjeko-ligjore kanë gjetur mbetjet mortore të të paktën 6 viktimave të luftës në Kosovë.

Top Channel