“Ndihma e premtuar nga Trump ka mbërritur”, reagon djali i Shahut të fundit të Iranit, Reza Pahlavi: Goditjen përfundimtare është në duart e popullit iranian
Këshilli i Sigurisë në OKB ka dënuar lëshimin nga Korea e Veriut të dy raketave balistike dhe bëri të ditur se po konsideron “një përgjigje të përshtatshme” ndaj vendit komunist.
Presidentja e KS, Ambasadorja e Luksemburgut në OKB, Sylvie Lucas, e përshkroi atë si një shkelje të rezolutave të Këshillit të Sigurisë.
Korea e Veriut lëshoi për testim dy raketa Nodong me rreze të mesme veprimi, të mërkurën, të cilat përfunduan në det. Ky ishte lëshimi i parë nga Peniani i këtyre lloj raketave, që prej vitit 2009.
Lëshimet e raketave balistike nga Peniani janë të ndaluara nga Kombet e Bashkuara. KS zhvilloi një debat me dyer të mbyllura të enjten, që përfshinte edhe një raport nga zv/Sekretari i Përgjithshëm për Marrëdhëniet Politike, Jeffrey Feltman, thanë diplomatët.
Dënimi nuk ishte përmes një deklarate formale, por zonja Lucas tha se anëtarët kërkuan që ajo të lexonte konkluzionet, ashtu siç ishin dakordësuar nga të gjithë pjesëmarrësit. Ajo lexoi ndër të tjera se anëtarët kishin rënë dakord “për t’u konsultuar mbi një përgjigje të përshtatshme” dhe tha se kjo përgjigje “duhet të jepet menjëherë, pa vonesa”.
Ministria e Mbrojtjes së Koresë së Jugut bëri të ditur se raketat ishin lëshuar nga rajoni Suckon në veri të Penianit dhe fluturuan rreth 650 km përpara se të binin në det, në lindje të gadishullit korean. Ministria e përshkroi atë si një “provokim të rëndë”.
Departamenti amerikan i Shtetit e quajti veprimin e koreano-veriorëve si një “përshkallëzim shqetësues dhe provokues”.
Në javët e fundit, Korea e Veriut ka lëshuar disa raketa me rreze të shkurtër veprimi, veprime të cilat kanë koinciduar me stërvitjet ushtarake të përvitshme mes SHBA-ve dhe Koresë së Jugut.
Lëshimi i raketave balistike nga Veriu janë ndaluar nga rezolutat e KS në OKB, të miratuara në përgjigje të testeve bërthamore nga Peniani në vitet 2006, 2009 dhe lëshimin e raketave që kanë pasuar ato.
KS ka zgjeruar listën ekzistuese të sanksioneve pas një tjetër testi bërthamor në Shkurt 2013, teksa fillimisht sanksionet e vendosura shënjestronin programet e saj raketore dhe bërthamore.
Top Channel