Kosovë, shtyhet sërish pr/ligji për zgjedhjet

28/03/2014 00:00

Kuvendi i Kosovës në mungesë kuorumi ka shtyrë seancën ku do të
diskutohej për ligjin për zgjedhjet. Kjo është shtyrja e parë që do të
ndikojë në shtyrjen e zgjedhjeve kombëtare, për të cilat ishin marrë
vesh Isa Mustafa dhe Hashim Thaçi, raporton gazeta “Express”.

Në fakt, Thaçi dhe Mustafa ishin marrë vesh që ligji për zgjedhjet të votohej më së largu në gjysmën e muajit mars, ndërkohë që as dy javë më vonë nuk arriti të kalonte në Kuvendin e Kosovës.

Kjo nuk është hera e parë që Isa Mustafës i dështojnë marrëveshjet me Hashim Thaçin. Lideri i LDK-së me marrëveshjen që pati bërë me kryetarin e PDK-së në prillin e vitit të kaluar kishte “detyruar” qeverinë të përfundonte mandatin brenda tri vitesh.

Madje, Mustafa për një kohë të gjatë pati deklaruar se kishte arritur sukses të madh pasi po i shkurtonte mandatin qeverisë.

Kryesuesi i seancës së të premtes, Xhavit Haliti tha se, duke qenë se në sallë të pranishëm ishin vetëm 32 deputetë, shqyrtimi i projektligjit nuk mund të fillonte.

Ai deklaroi se të hënën kryesia e Kuvendit do të vendosë për ditën se kur mund të diskutohet për ketë projektligj.

Top Channel